TIRANE– Ish-kryeministri Sali Berisha i është bashkuar paraditen e sotme çadrës së protestës së opozitës, të vendosur pranë godinës së Kryeministrisë prej 18 shkurtit. Teksa akuzoi kryeministrin Rama për mbështetje të trafikut të drogës në vend, Berisha ka theksuar se protestuesit janë të vendosur në kërkesat e tyre.

“Mbështetin çadrën e lirisë, kauzën tuaj, kauzën e votës së lirë. Çdo ditë e më e madhe bëhet mbështetja për përpjekjen tonë, për revolucionin tonë, më duhet t’i them Edvin Kristaq Drogës, se ky është vetëm fillimi, se nuk ke parë gjë akoma. Je i pashpresë”, tha Berisha.

Teksa kujtoi vargjet e Himnit Kombëtar “Nga lufta veçse ai largohet, që është lindur tradhtar”, Berisha theksoi se shqiptarët janë burra dhe nuk largohen nga lufta.

“Në nuk dorëzoheni, nuk larohemi nga lufta”, u shpreh Berisha.

Ndaj i bëri apel qytetarëve shqiptarë që mos të tërhiqen nga kauzat e drejta sipas tij, duke u kërkuar që çdo mëngjes e mbrëmje të kujtojnë Himnin Kombëtar.

“Të skuqim vendin nga veriu në ju, të vendosim kudo flamurin kuqezi”, tha Berisha.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha akuzoi kreun e Qeverisë se ka përvetësuar paratë e qytetarëve.

“Rama futi në Parlament 19 vrasës, kriminelë e të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni. I them Ramës, hiq dorë nga hanxharët e krimit, s’do mund t’i shohësh më, po vazhdove në këtë rrugë. Merre çadrën siç është t’u marrë. Je skllav i krimit, pjellë e së keqes, ti duhet të largohesh.

Monstruoz në përvetësimin e pasurive. I vodhi shqiptarëve paratë që mund t’i kishim fituar në çështjen me CEZ, e i çoi paratë në bankat “offshore”. Ai kalon nga një vjedhje në tjetër”, tha Berisha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb