Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar në një media në Kosovë ka folur për zhvillimet politike në vendin tonë dhe shpalljen e tij ‘non grata’ nga DASH. Berisha u shpreh se njerëzit e ndjekin atë sepse ai mbështet opozitarizmin.

Betejën në Francë, ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken ai tha se e bën për dinjitetin personal. Sipas Berishës nuk ekziston asnjë provë që implikon atë dhe shtoi se ditët e fundit është publikuar një libër ku flitet për Blinken dhe Shqipërinë.

“Dua të theksoj se është një revolucion, jo sepse e cilësoj unë të tillë, por është një revolucion paqësor i cili vlonte në mendjen e shpirtrat të dëshpëruar të qytetarëve shqiptarë. Vendimi im për t’u angazhuar në procesin politik ishte një shkëndijë e këtij revolucioni. Unë këtë situatë e kam përjetuar në ’91-in. Ne u krijuam si opozitë dhe pa kaluar 6-7 muaj ne në fakt nga një gabim të padiskutueshëm u futëm në qeveri dhe lamë vendin pa opozitë. Vendi s’kishte pasur opozitë. Kjo ngjalli një dëshpërim që unë nisa ta ndjej. Në shtator të vitit 1991, i them bashkëpunëtorëve të mi që duhet të nisin protestat ndaj pushtetit. Ata që ishin në qeveri ishin kundër. Unë dëgjova zërin e qytetarëve. Thërrita mitingun e parë te stadiumi Dinamo. Aty nisi një foltore në mbarë vendin dhe u shndërrua në një dallgë të pandalshme. Kushtet tanimë janë të tjera, por zemërimi i njerëzve ndaj regjimit është i madh. Besimi i njerëzve te Sali Berisha është ndër më të lartit, për faktin e thjeshtë sepse e shohin atë opozitar të vërtetë.

Ata e kuptuan që kishin një kryetar të rremë. Ai është peng i regjimit. Këto zhvillime e bëjnë atë një revolucion. Pse këta qindra mijëra njerëz mbështesin një njeri 77-vjeçar, që të gjithë e dinë që e kanë sanksionuar për vepër korruptive. Çfarë i shtyn ata? I shtyn ideja që një revolucion është rruga e vetme e shpëtimit të Shqipërisë. Ata nuk besojnë dhe e dinë që ai ndëshkim është puro politik. Është i bazuar në shpifje e trillimin politik. Ky është një revolucion. Nuk ka bërë njeri më shumë për marrëdhënie miqësore me SHBA. Por unë jam një njeri i cili kam vendos gjithçka për dy gjëra në diktaturë. Thjesht për dinjitetin që më mungonte, sepse të tjera flisnim dhe të tjera mendonim. Së dyti unë vija nga shkenca, unë kryeja kërkime shkencore. Nuk besoja në të pagabueshmen. Unë këto dy faktorë dhe vetëm këto dy faktorë më shtyen mua të dal kundër regjimit. Asgjë s’mi largon këto nga mendja. Dinjiteti njerëzor është thelbi i vetë njeriut. Pa gabueshmëria është inegzistente.

SHBA-të kanë një zinxhir gabimesh që i kanë njohur vetë, e kanë këtë meritë, njohin gabimet i korrigjojnë dhe mundohen të mos i përsërisin. Ideja që SHBA-të dalin jashtë teorisë së gabimit është gënjeshtër. Ky është një vendim i diktuar nga lobimi korruptiv i George Soros pa asnjë provë e dokument. Fatmirësisht se them vetëm unë, atë ia tha në sy Sekretarit Blinken kongreseve amerikanë. Akoma më rëndë ia tha drejtuesi i të gjitha shërbimeve informative, Grenell duke i thënë që ai po bën agjentin e Soros në Ballkan. Ekzistojnë me dhjetëra artikuj. Është publikuar këto ditë një libër, ku ka një pjesë Blinken dhe Shqipëria. Unë u drejtova në Paris, në gjykatën atje. Padita për shpifje, por e them prapë këtu, i pari njeri në botë, i pari zyrtar amerikan që të nxjerrë një fakt të vetëm për ta bërë këtë Berisha i gatshëm të marrë çdo vendim ndaj vetes së ty. Të thuash që kam marrë paratë e buxhetit, por asnjë njeri s’ka luftuar korrupsionin më mirë se unë. Ju mund të kontrolloni çdo shpenzim që bëhet nga thesari i shtetit. Është një gënjeshtër. Kam zbatuar ligjin. Nuk kanë ekzistuar kurrë hetime”, tha Berisha.

Ish-kryeministri tregoi më tej dhe aksionin politik që ka ndjekur pas 2013-ës, kohë kur vendosi të jepte dorëheqjen nga kryetar i PD.

“Nëse keni ndjekur Sali Berishën e pas viteve 2013, në atë mënyrën time kam përzgjedhur të jem zëri më konkret, i përditshëm, i fuqishëm i njerëzve pa zë. Me këtë Facebook-un tim, unë kam mijëra statuse, që të gjitha në mënyrë absolute sipas kërkesave të qytetarëve të veçantë të cilëve ua censuronin të tjerët. Unë jam përpjekur të jem zëri i tyre. Zëri i atyre pa zë. E kam shpjeguar shumë herë. Kam ruajtur dimensionin e qytetarëve në mënyrë unike. Kjo falë besimit të atyre që më drejtoheshin se do i bëj publike shqetësimet e tyre. Në këto statuse, nëse heq fushatat elektorale nuk gjeni qoftë edhe njëherë të vetme fjalën PD”, përfundoi Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb