*Revolucion demokratik paqësor për të shkulur krimin që ka pushtuar qeverinë

*Një ministër ka 200 telefonata me kriminelë
*Kur drejtoja unë vendin, debati për krimin ishte ekzotik

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen për një revolucion demokratik paqësor si mënyra e vetme për të shkulur krimin që ka pushtuar qeverinë dhe administratën. Berisha tha se Mark Frroku është fytyra më e shëmtuar e lidhjes së krimit me shtetin.

“Mark Frroku është fytyra më e shëmtuar e këtyre lidhjeve. Është fytyra e këtij parlamenti. Është fytyra e kësaj qeverisje. Bosi i tij është Ilir Meta dhe dua tu bëj apel edhe njëherë qytetarëve shqiptarë, kurajës së tyre, përgjegjësisë së tyre të vendosim ne për një revolucion demokrat dhe paqësor si rruga e vetme. Përveç revolucionit asgjë nuk do të shkulë dot krimin që ka pushtuar qeverinë dhe këtë administratë. Revolucioni demokratik dhe paqësor është përgjigja qytetare për sigurinë e çdo njeriu. Përndryshe ju garantoj se Mark Frrokrit do të shkojnë larg e më larg”, tha Berisha.

Berisha tha se një prej ministrave ka 200 telefonata me kriminelë, ndërsa emrin tha se do ta bëjë publik në një moment tjetër.

“Sot në këtë kabinet më thotë një i huaj se ka ministër që ka 200 telefonata me kriminelë. Në momentin e duhur do ta them. Do ta themi pa diskutim nuk ngurrojmë. Sot për sot Ilir Meta ka pushtuar kreun e Parlamentit dhe nuk bën detyrën më minimale të paraqitet si deputet para prokurorisë. Meta ka frikë nga arrestimi, është i tmerruar nga krimi. Meta është i përfshirë në skenar sepse e fshehu skenarin 6 muaj. Do ju tregoj vetëm një ndodhi nga jeta ime politike. Më ka ardhur Tan Prifti në zyrë me një video. Cili ishte reagimi im, ishte vetëm një, çoje urgjent në Prokurori. S’mund të ketë kurrë përgjigje tjetër, s’mund të bllokoj hetimin. Edi Rama ka ngarkuar kryeprokuror Saimir Tahirin. Kurse këta e mbajtën 6 muaj. Përse e mbajti, sepse shpresoi se do mundte të fajësonte Sali Berishën, në mënyrën më monstruoze për skenarin e tij. Do mundte të manipulonte çdo provë dhe të eliminonte dy dëshmitarët kyç. Dështoi. Çfarë ndodhi më pas, ky njeri që skenari kriminel e ka pushtuar në çdo qelizë të tij, doli dhe u tha shqiptarëve se nuk e jap dorëheqjen e kam dhënë njëherë për Shkëlzenin, se ishte në video. Edi Rama dhe Tom Doshi kishte ruajtuar Shkëlzenin e Tom Doshi? Pasi dështoi me këto variante, atëherë u tha tjetrën, unë nuk e kam mbajtur sekret për vete por për Sali Berishën. Pasi dështoi dhe më këtë turp të tij, atehërë kërkoi Baba Takun, torbën e zezë ku mban kokainën e Gëzim Celës”, deklaroi ish-kryeministri.

I pyetur nëse do ta udhëhiqte këtë revolucion për të cilin bën thirrje, Berisha tha se do të marrë pjesë si qytetar pasi opozita ka udhëheqjen e vetë. “Unë jam ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PD-së, jam i gatshëm të jem një prej qytetarëve aty. Opozita ka udhëheqjen e vetë, unë flas atë që ndiej. Kemi kërkuar dhe do kërkojmë hetim ndërkombëtar”, tha Berisha.

Përsa i përket procesit të dekriminalizimin Berisha tha se nuk ka dijeni për deputetë të implikuar të PD-së. “Ku unë drejtoja vendin të gjithë këta byrazerët e këtyre qeveritarëve shkuan atje ku e kishin vendin. Kur drejtoja unë vendin, debati për krimin ishte ekzotik. Jo se nuk ekzistonte por ishte krim rruge. Kur drejtoja vendin, Shqipëria arriti nivelet më të mira të sigurisë. Nuk ndodhi kurrë që një vrasës i 4-fishtë të dënohen 9 vjet për një njeri. 21 janari, ishte sulm ndaj institucioneve kushtetuese. Gërdeci ishte aksident. Në dijeninë time nuk njoh asnjë deputet të maxhorancës të ketë lidhje me krimin. Revolucioni është i rëndësishëm”, tha Berisha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: