Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha sulmoi dy ambasadorët, atë amerikan Donald Lu dhe të BE-së, Romana Vlahutin se po sillen si guvernatorë të vendit. I ftuar në “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në News24, Berisha doli në mbrojtje të kryeprokurorit Llalla, duke thënë se pengesën kryesore në bllokimin e reformës nuk e ka sjellë ai por Edi Rama.

“PD i dha përgjigje përfundimtare mbrëmë këtij problemi. Përgjigja është opozita u përjashtua nga Vettingu. Në një vend të civilizuar qëndrohet mbi marrëveshje. Me 21 korrik kur çështja e reformës shkoi në lartësitë më të mëdha të botës, deri tek Angela Merkel, çfarë iu tha shqiptarëve: Kompromisi u arrit, dhe do ketë marrëveshje ndërkombëtare siç kërkoi Komisioni Europian dhe ne i pranuam, dhe 7 ligjet do miratohen me konsensus. Akti i parë që bëri Rama dhe Meta, shkelmuan marrëveshjen dhe përjashtuan opozitën. Përgjigjesinë absolute e kanë ata që përjashtuan opozitën, me qëllimin që t’i japin Edi Ramës drejtësinë në kthetrat e tij.

Por opozita do të mbrojë drejtësinë e korruptuar të një kryeministri legen, që ka vendosur dy guvernatorë që drejtojnë vendin. Kurrë nuk mund të ketë mandat nga Presidenti i SHBA-së Lu-ja që të kërkojë ndërprerjen e hetimit. Ka pasur duel me prokurorin. Ambasdori deklaroi ndalimin me vizë. Këtu jam dakort. Ai akuzoi prokurorin se ka bllokuar reformën, por pengesën kryesore e ka sjellë Rama. Nuk di se si një prokuror të bllokojë reformën, se ai nuk ka inisiativë legjislativ,” tha Berisha.

Më tej, Berisha tha se ambasadorja Vlahutin është sorosiane dhe ka lidhje të fortoa me qeverinë e Ramës. “Zonja që kur erdhi dihej që ishte lidhje e ngushtë e kësaj qeverie”,- theksoi ai.

“Ka patur njëherë një tendencë përveç asaj. Është thirrur ambasadori Lu në prani të eprorit të tij, dhe i është thënë mos guxo më të bësh një veprim të tillë. Sepse shtetet e tjera nuk pranojnë ca gjëra. Janë këtu për të ndërtuar ligjin dhe shtetin ligjor. Kurse Zonja Vlahutin është e njohur universalisht si një mbështetëse pa kushte e qeverisë shqiptare. Dhe këtë e kam denoncuar në mënyrë të vazhdueshme publikisht. Por i kam denoncuar edhe privatisht tek miqtë e mi. Sa ulet të flasë, fillon të kundërshtojë opozitën”, tha Berisha.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb