Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi sot në një takim me banorët e Pukës dhe Fushë-Arrëzit se qeveria e përdor varfërinë si mjet për të nënshtruar njerëzit. Ai tha se pasuritë e mëdha shfrytëzohen me klientelë.

“Çdo punë publike këtu kushton 5 deri në 8 herë dhe 10 herë më shumë se sa e ka koston. Punë publike kudo, ka një manual për çmimet e çdo materiali, të fuqisëp unëtore e çdo gjëje. Për të ndërtuar 1 kilometër rrugë fushë autostradë shpenzohen 3 milion euro. Për 1 km në Shqipëri, u prokuruan 22 mln euro.
Kjo qeveri e përdor varfërinë si mjet për të nënshtruar njerëzit. Pasuritë natyrore që ka nuk çmohen në të mira për qytetarët. Jeni rrethi me kontributin më të madh për energjinë në Shqipëri, ju keni rrjetin më të dobët. Nuk përfitoni një qindarkë nga energjia që prodhohet nga ky rreth. Pasuritë shndërrohen s në vendet koloniale në një mallkim. Minierat e Munellës helmojnë Fanin. Pasuritë e mëdha shfrytëzohen me klientelë. Qeveria hoqi rentën, një taksë nga pasuritë për t’iu dhënë komunitetit. E hoqi Edi Rama sepse me siguri i çuan valixhen me para ata që i shfrytëzojnë”, tha Berisha.

Duke u ndalur tek afera e inceneratorëve, kreu i PD-së deklaroi se ka firmosur kontratë në kundërshtim flagrant me ligjin, me procedurë të mbyllur.

“Keni dëgjuar për aferat e mëdha, të djegësave, 420 mln i ka firmosur vetë dhe thotë para komisionit, më vijnë dosjet fap-fap-fap dhe unë firmos pam-pam-pam, por kryeministri nuk mund të firmosë kurrë ashtu dhe unë vjedh fap-fap-fap mund të thoshte.
Ka firmosur kontratë në kundërshtim flagrant me ligjin, me procedurë të mbyllur. Analizoni vetëm këtë çështjes. Janë dhënë mbi 100 mln euro, nuk janë ndërtuar askund djegësi i Fierit dhe i Tiranës. Djegësi i Elbasanit që është ndërtuar me 12 mln euro është jashtë përdorimi. Megjithatë i kanë shpallur në kërkim dhe arrest, firma merr nga buxheti dhjetëra miliona euro sepse firma është e Edi Ramës, është e ministrave. Keni parë ndonjë vend në botë që firma funksionon kur është e shpallur në kërkim. Kurrë. Çmimet janë bërë një mekanizëm tjetër për të vjedhur qytetarët. Buka në Shqipëri u rrit më shumë se në çdo vend tjetër. Shqiptarët janë populli që konsumon më shumë bukë se në çdo vend tjetër të Europës, e them këtë sepse ua vret xhepin. Nafta në Maqedoninë e Veriut kushton 700-800 lekë më pak se në Shqipëri”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb