TIRANE- Në përfundim të seancës parlamentare, ish kryeministri Berisha tha se dërgimi në Kushtetuese i mandatit të Rakip Sulit u bllokua nga mazhoranca. Sipas tij, kjo bëhet për t’i bërë presion gjykatës për mandatin e deputetit Koço Kokëdhima.

“Sot për qytetarët shqiptarë është një ditë e rëndësishme, pas puçit antikushtetues që Edi Rama me sivllaun Kokëdhima tentuan të bllokojnë Kushtetuesen, vendimet e saj për 150 pagesa të bëra në dhunim flagrant të Kushtetutës ndaj kryekusarit sivllaut Kokëdhima, u detyruan ta dërgojnë në gjykatë siç përcakton Kushtetuta heqjen e mandatit të Kokëdhimës që është simbol i kusarit të papërmbajtur. Por përsëri po bëhet një provë me Kushtetuesen se rasti i dytë, i cili kërkoi vetë të paraqitet në Kushtetuese, mazhoranca e bllokoi në momentin e fundit. Pse? Nuk derdhin lot për kokën e Sulit, por të krijojnë rrethana e presione për Koçon e miss hekurudhën. Jam këtu për të thënë se beteja jonë për dekusarizim nuk do mund të ndalet”,- tha Berisha.

Duke iu drejtuar me nofkën “mis hekurudha” deputetes Valentina Leskaj, Berisha tha se: “160 mijë dollarë në muaj e ka rrogën djali i mis hekurudhës”.

Por kur u pyet se edhe për djalin e tij kanë bërë akuza të ngjashme, Berisha u shpreh: “Akuzat për djalin tim kanë marrë përgjigje ligjore, e kam të dokumentuar”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb