TIRANË – Ish-kryeministri Sali Berisha, nga dritarja e shtëpisë së tij, ku ndodhet në arrest shtëpie, deklaroi se me firmën e Ramës dhe të Veliajt janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 200 milionë euro dhe asnjë incinerator nuk punon. Berisha më tej hodhi akuza edhe për kreun e SPAK Altin Dumani, duke u shprehur se Dumanët ushqehen si derrat me paratë e vjedhura.

Pjesë nga fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha:

Miqtë e mi!

Çdo shqiptar e ka marrë vesh se vjedhja me inceneratorët ishte vjedhje e shekullit.

Se gjer tani, me firmën e Ramës dhe Veliajt janë shpenzuar nga paratë e buxhetit të shtetit 200 mln euro dhe asnjë incenerator nuk punon.

Se gjer tani për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës janë shpenzuar 130 mln euro. Gjer tani as gjurma e tij nuk ekziston.

Për këtë krim janë arrestuar zyrtarë, është arrestuar edhe ndonjë ministër, por problemi është se nuk është gjetur asnjë qindarkë e vjedhur.

Problemi është se çdo muaj djegësi i Tiranës gllabëron 1-2 mln euro, paçka se është në sekuestrim dhe kjo shkallë e tmerrshme indiference ndaj 130 mln eurove, këto pagesa të përmuajshme, këto ndodhin vetëm e vetëm se në këto 130 mln euro janë duart e zeza të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Këto pagesa bëhen, sepse sipërmarrja është e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Kjo është vetëm një nga ato vjedhje.

Po çfarë ndodh me sterilizimin që bëhet me një kosto 83 herë më të lartë. Vazhdon njëlloj pavarësisht se është sekuestruar, sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Po pse kjo, sepse aksioner kryesor është vetëm Edi Rama dhe vetëm Edi Rama. Kurse Dumanët kjo racë e shpifur fundërrinash njerëzore, me një qëndrim kriminal e dinë kush i mori paratë dhe nuk guxojnë të prekin 1 qindarkë prej tyre. Përkundrazi ushqehen si derra me paratë e vjedhura.

Ndaj dhe janë zhdukur 130 mln euro, nuk kthehet asnjë qindarkë, janë zhdukur 76 mln euro me sterilizimet, nuk kthehet asnjë qindarkë.

Vidhet me rrugë, ndërtohen rrugët me çmim 10-15 herë më të shtrenjtë. Vazhdon njëlloj.

Të dashur miq!

Në 8 vite u ndërtua Rruga e Kombit, me dy tunele 11 kilometra.

U ndërtua autostrada e Elbasanit me dy tunelet mbi 5 km.

U ndërtuan autostrada dhe superstrada nga Hani i Hotit në Gjirokastër.

Akoma nuk përfundon unaza e Tiranës, 17 kilometra sepse në çdo lot do të vjedhin të paktën  80% të tyre.

A mund të vazhdohet kështu miq.

A ka komb që duron një gjë të tillë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb