SHKODËR- Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për gazetarët pas mbledhjes së opozitës së bashkuar në Shkodër. Ai tha se shqiptarët nuk duhet ta durojnë fatin e tyre dhe duhet të marrin shembull nga Shkodra. Për Berishën bandat janë superfuqi sepse kanë kryeministrin me vete.
Nuk dihet se cili do të jetë aksioni i ardhshëm i opozitës që ka paralajmëruar se nuk do të ketë marrëdhënie normale me parlamentin por Berisha deklaroi sot nga Shkodra se çdo çmim është i leverdisshëm për të çliruar shqiptarët nga ky regjim.

Ai tha se forcat politike dhe qytetarët duhet të përdorin çdo mjet për të larguar një qeveri kriminale.
“Së pari njëherë solidaritetin më të madh Shkodrës e qytetarëve të saj dhe mesazhin e Shkodrës ta kemi parasysh gjithë shqiptarët. Cili është mesazhi i këtij qyteti. Mesazhi i këtij qyteti është se nuk duhet duruar fati yt. Po qe se Shqipëria ndiqte Shkodrën komunizmi nuk jetonte as 5 vite por shqiptarët nuk e ndoqën duruan fatin e tyre dhe pësuan atë të cilën nuk e ka pësuar asnjë komb tjetër. Dolën nga diktatura si një popull fantazmë. Ne nuk duhet të durojmë më tutje. Nuk janë bandat superfuqi, ato janë superfuqi se kanë kryeministrin me vete, sepse kanë qeverinë me vete. Forcat politike vetë nuk duhet të dalin me armë vetë t’i zhdukin bandat por forcat politike dhe qytetarët duhet të përdorin çdo mjet për të fshirë nga faqja e dheut një qeveri kriminale, një qeveri droge, një qeveri pa nder, pa dinjitet si kjo”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri solli si shembull për sjelljen e Ramës, mungesën e një ngushëllimi për 8 viktimat e Selenicës dhe deklaratën e tij se po të mos kishte ndodhur vrasja e tetëfishtë statistikat do ishin më mirë.

“Në asnjë vend të botës nuk do ta linin pa e tërhequr rrëshan rrugëve një kryeministër që pasi vriten 8 qytetarë, dy fëmijë, dy të moshuar e të tjerë nuk gjen një fjalë ngushëllimi për atë familje. Ata që i thonë vdekjes vdekje, ata duhet të ndihen të lënduar pafundësisht nga qëndrimi i tij. Dhe u kujtua për viktimat e Selenicës vetëm atëherë kur pa se i ishte rritur statistikat e vrasjeve. Prandaj ajo që thashë, unë e kuptoj që është e rëndë dhe ju me të drejtë e prishët pak fytyrën, keni të drejtë, por ama në shpirt nuk mund të jetë fyerja më e madhe për një komb dhe unë të garantoj që një komb i qytetëruar, një sjellje të tillë, një skizofreni se e them këtu para Shkodrës e para Shqipërisë ai është vetëm një skizofren bipolar të cilit poli i paranojës i thotë se ata janë të këqij se na rritën statistikën paçka se ata janë të pafajshëm. Dhashë këtë, pse policia nuk përballet me bandat që terrorizojnë Shkodrën, Elbasanin, Vlorën? Së pari është e kanabizuar”, tha Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin se flet në telefon me bandat dhe është mbështetësi i tyre. Ndaj ai tha se çdo çmim është i leverdisshëm për të çliruar shqiptarët nga ky regjim.
“Së dyti si mund të përballet qeveria me bandat kur ministri është vëllai i kryebanditit të Vlorës. Kur kryeministri flet gjithë ditën në telefon me bandën e Bajrave, me bandën e Lul Berishës, me çdo bandë në Shqipëri. Pse kryeministri flet në telefon me to? Atëherë ai është mbështetësi i tyre. Ndaj dhe thirrja është për qytetarët, ta rrëzojmë qeverinë më çdo çmim. Kur vjen problemi çdo durim ka një kufi, çdo çmim është i leverdisshëm për të çliruar shqiptarët nga ky regjim që po shfaros, po i degdis çdo ditë nëpër botë dhe po i shtyn dhe po i poshtëron njëlloj si një diktaturë këtu në Shqipëri”, përfundoi Berisha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb