TIRANË

Analisti Mentor Nazarko ka komentuar në studion e News24, në rubrikën “Opinion” dhe zhvillimet në Partinë Demokratike si dhe foltoren e nisur nga ish-kreu i PD dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Nazarko tha se është herët të thuhet se Berisha kërkon të jetë në krye të PD, por se ngjan si ato kokat e dashit të hekurt që përdoreshin për të hapur kalatë në mesjetë dhe mbrapa tij janë mëtonjësit realë.

“Është ende herët që të thuhet që Berisha do të kthehet në krye të PD,- mund të pandehim, por mbase s’do na dalë fjala. Nga biseda, shkëmbimi i komplimenteve që u bënë në Durrës midis zonjës Kokalari që po sulmohet madje si mëtonjëse për fronin e kryetarit dhe zotit Berisha, duket sikur do jetë z. Berisha. Por unë e quaj të vështirë një skenar të tillë. Z. Berisha ngjan si ato kokat e dashit të hekurt që përdoreshin për të hapur kalatë në mesjetë dhe mbrapa tij janë ata mëtonjësit realë të cilët janë lojtarë të Berishës për fronin e kryetarit. Besoj që Berisha për të ruajtur unitetin e kundërshtarëve të Bashës po shfaqet si udhëheqës i kësaj lëvizje. Nuk besoj se në fund do të jetë ai që do ta kryesojë partinë në vet të parë- nëse fiton. Natyrisht janë të vështira skenarët, sipas të cilave do të vendosë një tjetër, i cili përsëri do të ketë imponimin amerikan për ta përjashtuar Berishën dhe pastaj do kishim një proces zinxhir dorëheqjesh, apo ‘Foltoresh’”, tha Nazarko.

Ai pranoi që lëvizja e Berishës është duke marrë hov, por bëri një shpjegim. “Duhet kuptuar, PD është në një situatë të dëshpëruar. Një parti që nuk vjen në pushtet për tre mandate rresht është një parti e dëshpëruar. Berisha është prekës i mirë i telave të dëshpërimit dhe mobilizimit veçanërisht të partisë. Është tjetër gjë një tubim i hapur për simpatizantët dhe tjetër gjë ai me anëtarësinë. Nuk mund të nisemi nga entuziazmi që krijohet nëpër salla të caktuara. Berisha është dikushi që është duke vënë gishtin në probleme reale të PD dhe shpesh dhe të vendit. Shumë prej gjërave që ai shtron, hiq pjesën që lidhet me SHBA-të, janë probleme reale të PD, apo të vendit. Ai gënjen kur po i atribuon ekskluzivisht Bashës shumë prej atyre keqbërjeve, mungesën e demokracisë, përjashtimin e rivalëve, etj. Basha i ka bërë ato më së paku me lejen e Berishës, nuk po them me konsensusin, marrëveshje me të apo ndonjë skenar. Problemet që Berisha shtron megjithatë janë reale. Ashtu si edhe fakti që ajo që po bën Berisha po i krijon vështirësi Bashës si model opozitarizmi, dhe ky errësim i modelit Basha, ngjan se ishte arsyeja aktuale pse amerikanët donin ta largonin nga skena, në këtë periudhë. Se shtrojmë pyetjen: Pse tani? Për shkak të korrupsionit? Po, por ky nuk lidhet drejtpërdrejt me rolin e Berishës sot. Berisha është një personazh që zë goxha vend në skenën opozitare dhe duke qenë në parlament me kostumin e PD ai krijonte vështirësi protagonizimi të rolit të vetë Bashës. Mirëpo ai është duke e bërë këtë dhe nga jashtë PD-së zyrtare”, tha Nazarko.

Sipas tij, lloji i opozitës që ai po bën për Portin e Durrësit, ‘Balkan Open’ apo për tema të tjera, është përsëri një lloj steke me të cilën Basha duhet të krahasohet. “Basha e ka të vështirë që të dalë nga kjo situatë. Do t’i këshilloja që ai duhet patjetër të thërrasë vetëm një tubim të ngjashëm, por me të rinj.
Ata që po e pyesnin zotin Berisha në Durrës apo që po kritikonin Bashën, ishin të rinj, dhe kjo bënte efekt pozitiv. Përplasja brezore është problem real në këtë përplasje dhe njëherazi epërsia më e madhe e Bashës sot në raport me Berishën. Duke e ndjerë këtë handikap që ka, Berishës i kanë sugjeruar të jetë i rrethuar nga ato vajzat e reja që merren me instagramin apo i duket si gjuhë e huaj çfarë flitet”, deklaroi Nazarko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb