E ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ me Nisida Tufën në News24, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka komentoi edhe vendimin e dhënë nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken për shpalljen ‘non grata’ të ish kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij.

E rezervuar në komente, Xhaçka theksoi se se marrëdheniet me SHBA janë ato të dy partnerëve dhe aleatëve strategjikë.

“Është një marrëdhenie e jashtëzakonshme që ka ecur përmes demokratizimit të vendit, krah për krah me SHBA duke qenë se ata na kanë mbështetur shumë në proceset e demokratizimit të vendit, forcimit të institucioneve, demokratizimit të tyre, së fundmi, me reformën në drejtësi dhe është një partneritet strategjik që ne e vlerësojme dhe e respektojmë mbi çdo ndodhi dhe që nuk duhet të frenojë asesi atë që është rruga jonë që ne bëjmë bashkarisht dhe krahë për krahë.”- u shpreh Xhaçka.

Pjesë nga intervista:

Nisida Tufa: Çfarë do të thotë për Shqipërinë shpallja non grata e ish-Kryeministrit Berisha dhe a ndikon kjo në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA?

Ministrja Olta Xhaçka: Unë nuk mund të komentoj nje vendim të DASH. Ajo që di t’u them se marrëdheniet me SHBA janë ato të dy partnerëve dhe aleatëve strategjikë. Është një marrëdhenie e jashtëzakonshme që ka ecur përmes demokratizimit të vendit, krah për krah me SHBA duke qenë se ata na kanë mbështetur shumë në proceset e demokratizimit të vendit, forcimit të institucioneve, demokratizimit të tyre, së fundmi, me reformën në drejtësi dhe është një partneritet strategjik që ne e vlerësojme dhe e respektojmë mbi çdo ndodhi dhe që nuk duhet të frenojë asesi atë që është rruga jonë që ne bëjmë bashkarisht dhe krahë për krahë.

Nisida Tufa: E dinit më parë këtë lajm apo e mësuat përmes medias?

Ministrja Olta Xhaçka: Nuk kisha nga ta dija sepse nuk…

Nisida Tufa: Nuk mund të komentoni këtë vendim, çfarë do të thotë kjo për një ish-Kryeministër, për një figurë të tillë politike?

Ministrja Olta Xhaçka: Ajo që kemi parë dhe lexuar që ka qenë deklarata e DASH ishte shumë e qartë dhe nuk kemi çfarë t’i komentojmë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb