Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, komentoi deklaratën për media të liderit historik të PD, Sali Berisha, lidhur me shpalljen ‘non grata” ndaj tij dhe familjes nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Nazarko argumentoi se për Berishën, do të ishte më mirë që në këtë fazë të jetës së tij politike të luante një rol pajtues e jo agresiv, duke ndjekur edhe shembujt e liderëve të tjerë të Rajonit e më gjerë.

Sipas tij, inteligjenca dhe eksperienca e Berishës, do të shërbente për një politikë më pajtuese, e për këtë, iu referua deklaratave që ish-kryeministri bëri sot për Ballkanin e Hapur.

Një gjykim i tij, mendim i urtë nga Sali Berisha mund të kishte ndikim dhe reflektim për liderin e PS.

Ai tha se pritet e të shihet se çfarë do të ndodhë në vazhdim mes ambasadores së SHBA, Yuri Kim dhe
Sali Berishës, ndërsa paralajmëroi se brenda PD, mund të ketë përçarje. Duke ju përgjigjur vërejtjes se ambasadorja Kim ishte më arrogantja, ai tha

“Ambasadorët amerikanë si rregull janë arrogantë. Donald Lu ishte arrogant, ky është stili i tyre: për fat të mirë që është i tillë. Përkundrejt tyre, Berisha në pikëpamje personale duhet të reagojë për të mbrojtur, ai mbrohet duke sulmuar. Por unë po dua të imagjinoj në një çast, sikur Berisha me eksperiencën që ka të bënte rol tjetër, të ishte pajtues, të gjente të përbashkëtat e dy apo më shumë palëve të ndikonte në pajtimin e qeverive në Kosovë dhe Shqipërisë, etj.

Ai është kundër idesë së qeverisë së përbashkët, sepse kur ata- Basha dhe Rama bëhen bashkë, ai do ishte delja e zezë për tu sakrifikuar. Mirëpo unë e gjykoj në konceptin e interesit kombëtar: ky do ishte funksioni i politikanit me eksperiencë, te ndihmojnë të rinjtë për të mos bërë gabime. Ish-presidentët dhe ish kryeministrat e Maqedonisë, për shembull pasi japin dorëheqjen tërhiqen dhe s’janë më të pranishëm në jetën publike. Shihni Gruevskin: antiamerikan, i akuzuar për korrupsion; autokrat, u ndoq penalisht, u arratis, por ama s’eshtë në listë të zezë.

Pse? Sepse s është i pranishëm në jetën publike dhe po e mban fjalën. Berisha s rri dot pa folur. Ok, por si? Ndonëse ai sulmon për tu mbrojtur. Rruga e mesme sipas meje do të ishte ajo pajtuese, Berisha mund ta luante atë. Mua më bëri përshtypje qartësia e tij në formulimin e çështjeve- Ishte shumë i qartë. Ajo që tha ai për Ballkanin e Hapur, paralelja që ai ndërtoi me qasjen e administratës Trump për rishikimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë me Kanadanë; ajo që tha- për modelimin e shkëmbimeve ishte një këshillë e jashtëzakonshme që mund t’i vlejë Ramës. Kur foli për lopët, subvencionet në Serbi, ishte diçka e holle. Nëse do të ishte me këtë stil komunikimi, pa atë malinjitetin agresiv që karakterizon komunikimin e tij, do ishte një aset i madh publik aq më tepër sot. Për një njeri si Rama, rreziku i rrëshqitjes në gabime të reja, që nuk korrigjon gabimet e veta të mëparshme; apo i korrigjon ato, nëse nuk shkëputet nga grupet e interesit që e sollën apo i konfirmuan pushtetin, është rrezik real statuskuoja. Pra duhen mendje që janë jashtë tij dhe e ndikojnë.

Në lidhje me skenarët e shtatorit, Nazarko tha:

“Unë mendoj që do të kemi një përplasje mes tij dhe SHBA, mes PD dhe SHBA. Mendoj se do të ketë një çarje të PD. Ky nuk është një probabilitet i vogël, por i lartë. Nëse ndodh kështu kemi hyrje tek skenari i vendeve të Lindjes komuniste: kështu ka ndodhur kudo, në Serbi, Bullgari, Rumani, etj ku këto parti janë tretur a përçarë. Skenari i dytë është që SHBA mund të përdorin të gjitha instrumentet, sepse fjala pandëshkueshmëri, ishte e pranishme dhe kësisoj përplasja do të jetë e fortë. Një skenar i tillë, me PD që ka për të vijuar kursin e përplasjes, e favorizon Ramën. Berisha për fat të keq, po i krijon mundësinë vendit që pandëshkueshmëria të vlejë edhe për PS: sepse po e merr ai goditjen kryesore prej rolit të ri të amerikanëve në këtë periudhë që është rol pastrues. 2025 është një vit ku është parashikuar të integrohet edhe Ballkani në BE: SHBA duan që të shtyjnë Ballkanin kah këtij drejtimi integrues. Berisha është zgjedhur si shembull për tu ndëshkuar për këtë politikë agresive të SHBA. Mendoj që edhe sa i takon Kosovës, Berisha prapë duhet të kuptojë që edhe shembulli ai i referohet – shkëmbimi i territorit që ky e parandaloi- është retorikë që nuk i shërben interesit kombëtar: mban përçarjen mes Kosovës dhe Shqipërisë; Kosovës dhe Shba-ve, nxit frymë antiamerikane..

Përsëritja që ai bën se hyra në listën e zezë sepse ishte Soros dhe Rama, kjo i bën dëm atij: Soros bashkëpunoi me Trumpin kundër tij dhe Trump e Biden janë të dy kundër tij?

Nuk guxoj të hipotezoj se çfarë nënkupton reagimi amerikan që parashikohet deri në shtator, kur të përfundojnë edhe pushimet e ambasadores. Me keqardhje e them se do më pëlqente ta shihja në rolin ndihmues të vendit, kombit, për shkak të inteligjencës, eksperiencës, diturisë që ka”, tha Nazarko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb