Që nga futja e Berishës dhe e familjes së tij në listën e zezë amerikane, PDja dhe aktorë rreth saj po sillen sikur gjëma që i ka ndodhur u ka ardhur nga Uashingtoni. Ndaj, shumë prej tyre, të tronditur presin më shumë shpjegime dhe prova nga SHBA-ja në lidhje me vendimin e tyre për ta deklaruar Berishën të korruptuar dhe rrezik për demokracinë.

Ama deklaratat e SHBA-së bien si bombë dhe kanë impakt në vendin tonë jo thjesht sepse Amerika është superfuqi dhe partneri ynë strategjik, por mbi të gjitha, sepse ato janë disa të vërteta që njihen nga të gjithë shqiptarët. Pra, forca e deklaratave amerikane nuk buron thjesht nga ajo që ndodhi në Uashington, por nga ajo që ka ndodhur në mes të Tiranës.

Nesër SHBA-ja mund të fusë në listën e zezë të korrupsionit edhe ish-Presidentët Meidani, Moisiu, Topi apo Nishani, ama një qëndrim i tillë nuk do të prodhojë të njëjtën jehonë në sferën tonë publike. Jo thjesht sepse këto figura nuk kanë peshën politike të Berishës, por sepse as ata dhe as familjarë të tyre nuk janë kapur në flagrancë në skandale korruptive si ai i Gërdecit, apo në vrasje publike si ajo e 21 Janarit.

E thënë ndryshe, sado e fuqishme të jetë Amerika, ajo nuk mund të prodhojë fenomene nga hiçi. Arsyeja se përse deklaratat e ambasadores amerikane dhe të Departamentit të Shtetit kanë kaq shumë jehonë në hapësirën tonë publike është sepse thonë disa të vërteta që tashmë shqiptarët i dinë prej vitesh. Të vërteta që dikur vetë SHBA-ja i ka fshehur, teksa e deklaronin Berishën burrë shteti pasi kish vrarë 4 protestues në shesh.

Madje atë që thotë Amerika e dinë edhe demokratët. Kush është ai demokrat që nuk e di se djali i Berishës u përfshi në Gërdec, por drejtësia nuk pati guximin ta hetonte? Se më 21 Janar qeveria e Berishës vrau protestues të pafajshëm në bulevard? Se në shkelje të hapur të ligjit, Berisha nuk i dorëzoi prokurorisë gardistët përgjegjës për vrasjen e protestuesve? Se Berisha e sulmoi haptas prokuroren Ina Rama duke e quajtur publikisht “kurvë”, thjesht se ajo po bënte detyrën?

Është qesharak qëndrimi i PD-së që pret provat nga Uashingtoni ndërkohë kur gjëma dhe gjurmët e saj janë sheshit në Tiranë. Ndaj, ndarjen me Berishën PDja duhet ta bëjë në Tiranë dhe jo në Uashington, ashtu siç e ka bërë tashmë shumica dërrmuese e shqiptarëve./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb