Ish kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot një sërë videos nga votimi në Kamëz, ku sipas tij komisionerët e PS-së kanë votuar për qytetarët.

Berisha tha se nga hetimi i 6 qendrave të votimit në Kamëz rezulton se janë vërejtur 240 ndërhyrje manipulative.

“Sot do të paraqesim rezultatet e para të shqyrtimit të procesit elektoral në 6 qendra votimi në Kamëz kundrejt 133 qendra që ka kjo bashki. Kandidati ynë kërkon të marrë të gjitha videot e qendrave të votimit për të vërtetuar fenomenet anti kushtetuese të votimit në Bashkinë e Kamzës. Në këto 6 qendra janë gjetur 240 ndërhyrje manipulative. Rasti i operatorit Haxhi Guzja, voton vetë me disa karta identiteti në QV 1577/1 Valias i vjetër Kamëz. Ilva Marku, komisionere që ngrihet dhe voton për votuesin”, u shpreh Berisha.

Sipas tij “Në Bashkinë e Tiranës me një total 691 mijë votues, 102065 prej tyre janë votues shëtitës. Ata janë 15% e votuesve të Tiranës. Pra Tirana ka 1/5 e votuesve shëtitës, votues të cilët potencialisht kanë votuar më shumë se një herë ose janë dënuar me mosvotim. E para, që të kenë votuar më shumë se një herë është shumë e mundshme. Hetimi po vazhdon qendër për qendër. Ne do të bëjmë publike gjithë këtë mekanizëm”.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb