* Berisha: Rama kreu i ‘Meduzës’ së krimit, Sejdini, kushëri i Korleones.

* Balla: Je i damkosur nga ndërkombëtarët që nuk di të bësh zgjedhje

* Majko-opozitës: Zgjedhjet, pozitive. bëmë selfie me komisionerët e PD­së. po të kishte probleme do e kishit hedhur në erë Kuvendin

* Jozefina Topalli tregon forcën në Kuvend: S’kam qenë kurrë politikane e konsensusit, s’bëj asnjë hap mbrapa

* Dështon votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvend, Meta: Nuk janë 84 deputetë, mungon Spartak Braho

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në seancën e sotme plenare se ka menduar të digjte mandatin e tij si deputet në shenjë proteste për zgjedhjet lokale, të cilat tha se u shkatërruan nga një klikë. Berisha theksoi se këto zgjedhje si kurrë ndonjëherë u udhëhoqën nga bota e krimit, duke hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Rama, të cilin e quajti kreu i Meduzës së Krimit.

“Po mendoja para se të vija se cili gjest do të shprehte më mirë protestën për zgjedhjet. Mendova se ky gjest do të ishte djegia e këtij mandati. Po hyjmë në këtë sall si në një funeral, në funeralin e votës së lirë, në funeralin e zgjedhjeve, që një klikë i shkatërroi ato. Preku dhe rrënoi me të gjithë mekanizmat e shtetit mafioz, e mafies shtetërore, e krimit shtetëror, çdo parim të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Jam i vetëdijshëm se krenarëve që i dhanë edhe goditjen e fundit demokracisë, kjo nuk u pëlqen. Por një gjë e kam bërë kur u mbyll edhe kutia e fundit, si ish-kryeministër kam bërë një deklaratë kur nuk dija asnjë rezultat. Kam theksuar se përfundoi procesi i votimit, farsa elektorale më e shëmtuar më poshtëruese për zgjedhësit shqiptarë”, tha Berisha.

Ish-kryeministri tha se në këto zgjedhje u prekën dy parimet kryesore, të lirisë dhe barazisë. Ai shtoi se “flamuri i këtyre zgjedhjeve ishte flamuri i zi i krimit”.

“Zgjedhjet kanë disa parime, dy janë më themeloret. Parimi i lirisë i bën zgjedhjet e lira, parimi i barazisë i bën zgjedhjet e ndershme. Jashtë këtyre parimeve zgjedhje nuk ka. Çfarë spikati në këtë zgjedhje? Këto zgjedhje si kurrë ndonjëherë në 23 vjet u udhëhoqën nga bota e krimit. Edi Rama kreu i meduzës së krimit shtetëror emëroi në Kavajë, në Krujë dhe bashki të tjera me dhjetëra kriminelë të damkosur për drogë, prostitucion, për vrasje, si këshilltarë bashkie si kryetarë bashkie. Flamuri i këtyre zgjedhjeve ishte flamuri i zi i krimit. Të dashur qytetarë dhe qytetare kurrë ndonjëherë në ndonjë vend nuk ka ndodhur të përballet bota qytetare e vlerave me botën e zezë të krimit”, theksoi ish-kreu i qeverisë.

Ish-kryeministri tha se në këto zgjedhje u prekën dy parimet kryesore, të lirisë dhe barazisë. Ai shtoi se “flamuri i këtyre zgjedhjeve ishte flamuri i zi i krimit”.

“Zgjedhjet kanë disa parime, dy janë më themeloret. Parimi i lirisë i bën zgjedhjet e lira, parimi i barazisë i bën zgjedhjet e ndershme. Jashtë këtyre parimeve zgjedhje nuk ka. Çfarë spikati në këtë zgjedhje? Këto zgjedhje si kurrë ndonjëherë në 23 vjet u udhëhoqën nga bota e krimit. Edi Rama kreu i meduzës së krimit shtetëror emëroi në Kavajë, në Krujë dhe bashki të tjera me dhjetëra kriminelë të damkosur për drogë, prostitucion, për vrasje, si këshilltarë bashkie si kryetarë bashkie. Flamuri i këtyre zgjedhjeve ishte flamuri i zi i krimit. Të dashur qytetarë dhe qytetare kurrë ndonjëherë në ndonjë vend nuk ka ndodhur të përballet bota qytetare e vlerave me botën e zezë të krimit”, theksoi ish-kreu i qeverisë.

Berisha tha se miqtë dhe partnerët e Shqipërisë nuk mbrojtën asnjë parti në këto zgjedhje por interesat e qytetarëve shqiptarë, duke u dorëzuar dosjet e kandidatëve të inkriminuar partive. Sipas Berishës, Rama nuk i pranoi partnerët pasi donte paratë e pista të drogës dhe prostitucionit. Ai tha se Edi Rama e nisi Frroku në Kubë pasi mbaroi misionin në Pukë.

“Kurrë ndonjë herë si kësaj radhe miqtë e Shqipërisë nuk u ngritën në mbrojtje të ndonjë partie por të mbrojtjes së interesave të qytetarëve shqiptarë. Morën dosje dhe ua dorëzuan kryetarëve të partive për kandidatë të damkosur për krimet që kishin kryer. Kreu i meduzës së krimit në Shqipëri, Edi Rama që ndan psikologjinë e etërve përsa i përket krimit, u thoshte partnerëve tanë s’më duheni ju se më duhet Bushi, se më duhet ky i Kavajës, Roshi. Se më duhen paratë e pista të drogës dhe prostitucionit të tyre. Se më duhet Frroku që ka vrarë komisarin dhe ju akuzoni se u kalua në pritë. E nisët në Kubë sepse mbaroi misionin, por shpirti i Komisarit të vrarë do u ndjekë mbrapa gjithë jetën. Ja ku u vra Komisari tjetër në hyrje të Lazaratit, asnjë nuk u akuzoi se e vratë në pritë, ndonëse e vranë në pritë njerëz të lidhur me qeverinë”, deklaroi Berisha.

Ndërsa deputeti socialiste, Taulant Balla, ka folur nga vendi, Berisha i ka thënë të mbyllë gojën.

“Mbylle gojën. Të mbyllësh gojën mirë. Mos kujto se mund të bësh këtu të fortin se nuk të pyet njeri as për horr e as për balosh”, i tha Berisha.

Nga ana tjetër, ish-lideri i të djathtëve pohoi se kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini se është ‘good father’, ndërsa e cilësoi atë si padrino. Berisha teksa ironizoi kryebashkiakun pohoi se Mikele Korleone mund të jetë kushëriri i Sejdinit.

“Në vend të atij do jetë Shullazi, kryekontrabandisti më i madh, pasi do i shpëlajë Edi Rama. Ndaj dhe thirrja ime për qytetarët shqiptar, ngrihuni. Sot është 2 korriku, dita e heronjve të Ambasadave, të të rinjve dhe të rejave që thyen murin. Sot bijtë e tyre po bëjnë të njëjtën gjë me votën tuaj. Mos prisni kurrë kush ta zgjidh këtë punë. Nuk dëgjova asnjë ambasador se këto ishin zgjedhjet më të mira, e cilido që ka thënë ka folur në erë. Në këto zgjedhje vërshuan blerjet, vërshoi mielli. Në këto zgjedhje kreu i Qeverisë urdhëroi që atë drejtues të administratës të sillini në kuti votën. Në këto zgjedhje, si kurrë në histori, aparati shtetëror dhe institucionet e tij mafioze u mobilizuan. Beggetti, armiku numër një i Koço Kokëdhimës, armik i jetës. Ju nuk keni konceptin e shtetit. Historia e mediave kjo është, ku ‘good father’ është Sejdini. Ai është padrinua. Mikele Korleone, që për fat të keq thuhet se është shqiptar, mund të jetë kushëriri i Qazimit. Kjo ishte historia më e shëmtuar ndaj fjalës së lirë. Reagoi duke thënë se liria e fjalës është në atë nivel ku duhet të jetë. Kjo ishte varrimi i zgjedhjeve të lira.”, tha Berisha.

DËSHTON VOTIMI I LIGJEVE ME SHUMICË TË CILËSUAR NË KUVEND, META: NUK JANË 84 DEPUTETË, MUNGON SPARTAK BRAHO
ORA 21:00
Maxhoranca nuk arrin shumicën e cilësuar prej 84 votash në Kuvend. Kryeparlamentari Ilir Meta shtyu për në seancën e ardhshme plenare miratimin e ndryshimeve në Kodin Rrugor për mungesë kuorumi. “Kërkohen 84 deputetë të pranishëm, këtu nuk janë, kështu që shtyhen. Mungon zoti Braho, iniciues i këtij ndryshimi.”, deklaroi Meta.

Ndërsa në axhendë ishte votimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8738, datë 12.02.2001“Kodi rrugor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””. Në seancën e së enjtes shprehje mendimi për këtë projektligj kishte edhe Komisioni i Sigurisë Kombëtare. Në votimin e së enjtes u konstatuan 77 vota nga mazhorana, ndërsa projektligje te tjera që ishin në rendin e ditës kaluan me shumicë absolute votash. Më herët, mazhoranca ka shtyrë edhe disa projektligje të tjera për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend. Edhe pse pjesë e shumicës qeverisëse janë bërë edhe çamët e PDIU­së, mesa duket edhe 4 deputetët e saj nuk arrijnë të formojnë kuorumin e nevojshëm për votimin e ligjeve në Kuvend.

KUVEND VOTOHEN PROJEKTLIGJET NË RENDIN E DITËS
– Shtyhet votimi i pr/ligjit për Kodin Rrugor, nuk pati kuorum
– Falja e gjobave, miratohet amendamenti i Majkos
– Amendamenti, falja 100% e gjobave për kamatëvonesat për sigurimet
– Projektligji për emetimin e eurobondit miratohet me 74 vota pro
– Pr/ligji për marrëveshjen me BERZH miratohet 73 vota pro
– Marrëveshja për “alpet shqiptare dhe bregdetare , 72 pro
– Marrëveshja për terminalin e trageteve në portin Durrës, 74 vota pro
– Marrëveshja me BERZH për sigurinë rrugore, 75 vota pro
– Zgjatet mandati i komisionit për dekriminalizimin
– Subashi zëvendësohet në komision nga Vasilika Hysi
– Projekt-rezoluta për veprimtarinë e BSH për 2014, 74 vota pro

ZGJEDHJET LOKALE, PALOKA: KANDIDIMI I TË INKRIMINUARVE NË 50% TË ZONAVE
Ora 20:20 Duke folur nga foltorja e Kuvendit, deputeti demokrat Edi Paloka u ndal tek zgjedhjet lokale të 21 qershorit, duke u shprehur se janë kandiduar persona të inkriminuar në 50 % të zonave. Paloka ka akuzuar dyshën Rama-Meta se nuk kanë ndjekur rekomandimet e ndërkombëtarëve për personat e inkriminuar, ndërsa është shprehur se edhe në këto zgjedhje ka patur blerje masive të votës.

“As Rama e as Meta nuk pyetën për ndërkombëtarët. Blerja e votës është historia më e shëmtuar e zgjedhjeve. Pati kandidim të të inkriminuarve në 50% të zonave. Dhe as Rama e as Meta nuk pyetën për ndërkombëtarët. Blenë votat, ose iu merrnin kartat e identitetit qytetarëve për të mos votuar PD. Kjo ndodhi në Pukë, ku Rama dërgoi Arben Frrokun. Kjo u përdor dhe në Kavajë me armë e drogë nëpër tavolina. E aty ku banda s’ia dilte vetëm, vinte dhe policia. E kulmi ishte gjatë fushatës ky kryeministri kërcënonte me bukë dhe ujë qytetarët. Këta nuk duan t’ia dinë as për BE dhe as për SHBA, por ne do ndjekim çdo mënyrë për të ndaluar dyshen Rama-Meta, padyshim në mënyrë legjitime”, tha Paloka.

JOZEFINA TOPALLI TREGON FORCËN NË KUVEND: S’KAM QENË KURRË POLITIKANE E KONSENSUSIT, S’BËJ ASNJË HAP MBRAPA
ORA 17:40
Topalli tha se asnjë herë nuk ka qenë një politikane e konsensusit, por e bindjeve të saj, duke treguar se i qëndron deklaratave të bëra dhe qëndrimeve të mbajtura ndaj maxhorancës. “Unë nuk jam politikane e konsensusit, s’kam qenë kurrë. Jam politikane e bindjeve të mia. Kjo zonja që keni përballë nuk bën asnjë hap mbrapa. Më pëlqen të debatoj dhe nuk më pëlqen që njerëzit që rrinë pas meje të jenë dakord me mua sepse kjo është e vërteta. Të dashur miq, kuvendi po rrëshqet. Po vuan një rrënim të madh. Është i pasigurt, ky vend është në rrezik. Unë besoj dhe uroj që shqiptarët të reagojnë, vendi është në emergjencë. Dy vetë, tre vetë, nuk mund të mbaj në peng këtë vend”, deklaroi Jozefina Topalli. Ish­kryeparlamentarja tha se maxhorancës nuk i mjaftoi vota e shqiptarëve më 23 qershor 2013­të, por vijoi me blerje të mandateve të deputetëve, me qëllim përqendrimin e sa më shumë pushteteve në duart e tyre. “83 deputetë nuk ju mjaftuan dhe bletë edhe deputetin tjetër, pastaj gjatë muajve morët edhe shumë deputetë dhe grupe parlamentare dhe prape nuk ju mjaftuan. Edhe me zgjedhjet në Korçë që e dinit që do fitonit, prape nuk ju mjaftuan… nuk ju mjaftoi pushteti me KLD, nuk ju mjaftoi as kur morët AMA­n, as shumicën në institucione të tjera”, tha Topalli.

MAJKO OPOZITËS: ZGJEDHJET, POZITIVE. BËMË SELFIE ME KOMISIONERËT E PD­SË. PO TË KISHTE PROBLEME DO E KISHIT HEDHUR NË ERË KUVENDIN
ORA 15:35
Ai gjithashtu tregoi se në përfundim të procesit të numërimit të votave në Njësinë nr. 5 në Tiranë, komisionerët e PS, PD dhe LSI bënë një fotografi së bashku.
“Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë mjaft të mirë. Ju kujtoj se kur mbaroi procesi i numërimit në Njësinë nr. 5 në Tiranë, të gjithë së bashku, edhe me komisionerët e PD­së bëmë një fotografi të përbashkët. Megjithatë unë them se ka patur disa probleme”, tha Majko.
Ai, gjithashtu mbrojti edhe kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinin, duke thënë se nuk pajtohej me epitetin Korleone ndaj tij.
“Unë nuk e besoj se kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, miku im Sejdini, të jetë Korleone. Korleone mund të jetë dikush tjetër këtu, por jo ai”, tha Majko.
Ai iu drejtua opozitës më pas duke i thënë se po të ishin të vërteta të gjitha pretendimet e saj për blerje votash dhe shantazhe, atëherë ata do ta kishin hedhur në erë sot Kuvendin.
“Nëse do të ishin të gjitha të vërteta pretendimet tuaja, atëherë ju sot do ta kishit hedhur në erë Kuvendin. Kjo ka të bëjë me një reflektim për rezultatin. Unë mendoj se katër vjet kalojnë shpejt. Me pak durim gjerat do të ecin mirë”, tha Majko.
Ai vlerësoi edhe kandidatin e djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosovën, duke thënë se ai tregoi qytetari pas procesit të numërimit, duke njohur rezultatin dhe uruar fituesin.

BALLA: JE I DAMKOSUR NGA NDËRKOMBËTARËT QË NUK DI TË BËSH ZGJEDHJE
Deputeti socialist, Taulant Balla i është përgjigjur deklaratave të ish-kryeministrit Berisha. Balla tha se i vetmi që nuk mund të flasë për standardet e zgjedhjeve është Berisha.

“Në 4 korrik të vitit 1990 në një sallë të Fakultetit të Mjekësisë zhvillohej mbledhja e organizatës së rinisë, ku Sali Berisha i kërkonte Partisë së Punës, Sekretarit të Parë të KQ të merrnin masa kundër atyre familjeve të shqiptarëve që i ishin drejtuar ambasadave të huaja. Ky ishte anëtari i Partisë së Punës, Sali Berisha. Nuk ka ironi më të madhe që tani çohet në këtë sallë dhe flet me mirënjohje për ata që 25 vite më parë i shante. Ironia e dytë lidhet me zgjedhjet. Mund të flitet në këtë sallë majtas dhe djathtas. I mirëkuptoj Tabakun dhe Spahon, por ka një njeri që nuk mund të flasë për zgjedhjet. Më 26 maj 1996 kam qenë komisioner i PS-së në Librazhd, anëtar i Komisionit të votimit dhe diku nga mesdita një pjesë e komisionerëve të PS-së u larguan, unë vazhdova të rrija në atë proces. Në një moment të caktuar vjen një furgon policie dhe 4 policë më thonë po ti l… pse nuk ikën dhe për rreckash më çuan në komisariat. Këto ishin zgjedhjet që i bënte Sali Berisha. Të merrte polici, të nxirrte prej leckash dhe te fustë një shkop gome qafës. Madje i bënë të gjitha kutitë e votimit nga fillimi. I fundit që mund të flasë për standardin e zgjedhjeve është Sali Ramë Berisha. Sepse është njeri i damkosur nga institucionet ndërkombëtare që nuk di të bëjë zgjedhje. Tani përsa i përket mediave, si ka mundësi një njeri që ka qenë 5 vjet president, 8 vjet kryeministër, merr fjalën në Kuvendin e Shqipërisë sulmon Deutche Bank dhe mban anën e një gjobatori. Turp për PD-në që degjeneron në këtë situatë, ku më rëndësi ka një mashtrues italian se banka me reputacion më të madh në botë”, tha Balla.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: