Etrit Berisha përjeton makthe në Romë, kryeqytetasit shfryjnë të gjithë dufin e këtij fillim sezoni ndaj gardianit kuqezi duke i shënuar një thes me gola. Të udhëhequr nga dyshja e re, dyshja e ëndrrave, Dybala-Lukaku, ekipi i Jose Mourinho-s turpëroi Empolin me rezultatin e thellë 7-0. Paulu Dybala rikthehet pas dëmtimit dhe dhuron një paraqitje fantastike, dy gola të shënuar, shtyllë dhe shumë klas.
Pas vetëm një minutë lojë, Roma fitoi një 11-metërsh dhe nga pika e bardhë e penalltisë, Dybala u tregua perfekt duke shënuar golin e parë. Në minutën e 8-të ishte Renato Sanchez që me kohë dyfishoi shifrat. Brenda pjesës së parë, Berisha u detyrua të nxjerr topin për herë të tretë nga porta e tij pas një autogoli të pafat. Menjëherë me fillimin e pjesës së dytë trajneri Zanetti hodhi në fushë edhe Ardian Ismajlin, por kjo lëvizje nuk kishte asnjë efekt pasi Dybala me një veprim fantastik brenda në zonë realizoi edhe golin e katërt. Në të 80-të, Cristante me një predhë nga distanca dërgoi shifrat në 5-0 ndërsa dy minuta më pas ishte Lukaku që realizoi golin e tij të parë me fanellën verdhekuqe, të gjashtin për Romën. Në fund, ishte Mancini që me kokë sigloi shifrat përfundimtare në 7-0:
“Luajtë mirë, por nuk bëmë një ndeshje për ta fituar 7-0, me vjen keq për Empolin. Goli i Lukakut? Ishte i rëndësishëm për të, jo për mua”, u shpreh Mourinho.
(BalkanWeb)