Ish-kryeministri Sali Berisha ka pritur sot në një takim kryetarin e Lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut, Bilall Kasami. Mësohet se kryefjala e takimit mes tyre ishin padyshim zhvillimet e fundit në shtetin fqinj siç ishte votimi i amendamenteve kushtetuese.

“Te dashur miq, sot prita në një takim të veçantë, kryetarin e Lëvizjes BESA, të Maqedonisë së Veriut, z. Bilall Kasami, të shoqëruar nga studiuesi dhe veprimtari i mirënjohur Prof. Arsim Sinani.
Në këtë takim, zoti Kasami me njohu me zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut, procesin e votimit të amendamenteve Kushtetuese në Parlamentin e vendit për sanksionimin e emrit të Maqedonisë së Veriut, si dhe përpjekjet dhe kontributin e Lëvizjes Besa dhe partive opozitare shqiptare, për ridimensionimin në këtë proces të problemeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe identitetin e kombit shqiptar në Maqedoni.

Shpreha vlerësimin tim të madh për votimin e amendamenteve kushtetuese, rolin vendimtar të forcave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Qeverisë së këtij vendi, që bënë të mundur këtë votim i cili i hap rrugën Republikës së Maqedonisë së Veriut për integrimin në NATO dhe BE, dhe i dha një përgjigje të merituar përpjekjeve bllokuese dhe destabilizuese të Rusisë dhe Serbisë në rajon.
Gjithashtu, përgëzova me këtë rast forcat politike shqiptare opozitare të Maqedonisë së Veriut, udhëheqësit e këtyre forcave, z. Bilall Kasami dhe z. Ziadin Sela, për vendosmërinë e tyre për ridimensionimin nëpërmjet negociatave të suksesshme të disa prej çështjeve thelbësore të shqiptarëve në Kushtetutën e dy vendeve, të lidhura me identitetin, shtetësinë e tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me qëndrimin tuaj dhe të partisë tuaj, ju, direkt e bëtë Marrëveshjen e Prespës një marrëveshje që shpreh qartësisht më mirë interesat më të larta të qytetarëve me origjinë shqiptare, por edhe atyre me origjinë maqedonase e të tjera, të cilët duan të jetojnë të lirë e të barabartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Biseda ishte e hapur dhe miqësore. Sb”, shkruan Berisha.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb