TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me kryetarin e të rinjve Kristian Demokrat të Gjermanisë z. Paul Ziemiak. Në takim Berisha shfrytëzoi rastin t’u shprehi mirënjohjen e thellë për CDU, udhëheqjen dhe të rinjtë e saj, për mbështetjen tejet të çmuar e të pandërprerë që i kanë dhënë PD-së, Forumit të saj rinor.

Ai u shpreh se vizita e tyre është një kontribut i ri në këtë mbështetje dhe bashkëpunim të rëndësishëm. Zoti Berisha theksoi se vizita e tyre vjen në një kohe fushate elektorale gjatë të cilës dy problemet më madhore të vendit, krimi dhe korrupsioni po bëjnë kërdinë, dy fenomene shumë problematike këto, të cilat në Shqipëri kanë mbështetje kryesore kryeministrin Rama dhe personat përreth tij.

Ai i njohu të rinjtë e CDU gjermane me rastin e fshehjes së kërkesës për ekstradim për vrasje në Belgjik të deputetit Mark Frroku nga kryeministri Rama dhe lirimin me urdhër të tij të trafikantit të ndaluar nga Policia, Pllanaj si dhe mbi lidhjet e Ramës me krimin të cilat, theksoi ai, janë të qarta si drita e diellit.

Berisha theksoi se pikërisht për shkak të këtyre lidhjeve ai ka futur në parlament 19 deputetë me rekorde kriminale, kundrejt asnjë të tillë nga PD, ka mbushur administratën me trafikantë, vrasës, pengmarrës etj, si dhe‎ bllokoi zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Parlamenti Europian dhe mbështetur nga Komisioni Europian si dhe vendet mike për dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve të vendit.

Berisha i shprehu të rinjve kristian-demokrat se problem madhor në vendin tonë aktualisht është korrupsioni, por dhe në këtë fushë Rama udhëheq me shembullin e tij personal, me vilën e tij në Surrel me 600 m2 sipërfaqe ndërtimi ndërkohë që para tre vitesh kishte të deklaruara si pasuri gjithsej 3000 euro, apo me pallatin 5-katësh të bashkëshortes së tij për të cilin nuk d‎isponon asnjë faturë bankare, ndërtimore apo tatimore. “Edhe kandidati aktual për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, që dy muaj më parë mohonte kategorikisht se ka vilë, tani që janë botuar dokumentet dhe është gjetur vila bën sikur nuk ka ndodhur gjë”, u shpreh zoti Berisha.

Në takim z. Ziemiak shprehu vlerësimin e tij për PD, bashkëpunimin e ngushtë midis dy partive tona dhe rolin e PD-së në transformimin e vendit dhe siguroi zotin Berisha për vazhdimin e mbështetjes së CDU dhe të rinjve të kësaj partie për PD dhe FRPD.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: