Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar këtë të diel kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, koalicion i përbërë nga dy partitë LSI e PDK, për Bashkinë e Durrësit, Ardi Muka, për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Në fjalën e tij, Berisha iu bëri thirrje qytetarëve durrsakë të votojnë për Mukën, teksa u shpreh se vota për kandidatin e Ramës është votë e humbur dhe për varfërinë.

“Ne vijmë këtu me një kandidat, që ka çarë me djersën e ballit, është bërë një biznesmen i nderuar pa iu nënshtruar presioneve të mafies dhe qeverisë”, tha Berisha, ndërsa sulmoi kandidatin e Lulzim Bashës për Durrësin, teksa u shpreh se “Ju siguroj se dyert për primare ishin të hapura plotësisht dhe për Luan Hotin, por ai nuk donte votën, kishte frikë nga vota juaj. Ne jashtë votës suaj nuk e emëronim atë kurrë. Ndaj në vend që të vinte të testohej në primare, zgjodhi të jetë jo kandidati juaj, por kandidat i Lul Bravës”.

Pjesë nga fjala e Berishës:
Ambiciet e qeverisë për Durrësin tejkaluan cdo parashikim të të gjitha kohërave. Durrësi ka parë në shekuj hordhi të huaja të panumërta, por asnjëra prej tyre nuk ka synuar e vendosur t’ia heq portin qytetit. Porti dhe qyteti janë si trupi me zemrën të lidhur njëri me tjetrin. Kurse kjo qeveri, në mënyrën më të papërgjegjshme, pas një sage në një nga aferat më të mëdha korruptive në Evropë, duke kërcënuar e prerë kafshatën e plot 12 mijë familjeve, që ushqeheshin me rroga në aktivitetin e portit, për ta shndërruar 800 mijë metra katror në një zonë ndërtimesh, u tha për Emar, por tani del për Edvinin dhe Lul Bravën, për larjen e miliarda parave droge. Shikoni pra çfarë janë në gjendje t’i bëjnë qytetit. Imagjinoni t’ia presin si me sëpatë 3 mijë vite histori. Babëzia, lukunia, nuk ka kufij te këta njerëz. Po në qoftë se vërtet do të ndërtosh një port të ri në Porto Romano, jepja këto 800 mijë metra katror qytetarëve të Durrësit, t’i nxjerrin ato kursime që kanë, të ndërtojnë secili e t’iu shumohen në ndërtim. Po pse t’i marrë Lul Brava dhe Edi Rama?

Një zviceran ka rrogën 10 herë më të lartë se një shqiptar dhe naftën e blen me të njëjtin çmim. Thonë se kjo vjen për shkak të bursës, por unë ju them se vjen për shkak të vjedhjes së kësaj qeverie. Këtu, vjedhja shtrihet mbi ju si një vello e zezë, që nxin cdo ditë e më shumë të ardhmen tonë. Kjo është vjedhje e organizuar nga qeveria. Ju e dini c’është borxhi dhe sa siklete të krijon, gjersa ta shlyesh. Në Shqipëri borxhi ka arritur në 103% të PBB. Këtu vritet çdo ditë shpresa. Të parën që morën nga qytetarët është liria. Ndonjëherë kjo marrje është e tmerrshme, sepse nuk është aq e ndjeshme. Ju keni vite që nuk votoni të lirë. I patë zgjedhjet e fundit se si u zhvilluan me patronazhistë, si në kohën e diktaturës. I patë zgjedhjet se si në kundërshtim me cdo ligj, vetëm në muajin prill, qeveria shpërndau 91 milionë euro. E patë se si bandat në Elbasan bënë ligjin. Ju e dini që më 2009 në PS nuk ka më vota, nuk voton kush. Zgjohet ministri dhe e merr vesh nga media se është emëruar ministër apo ministre. Mjerisht në këtë dramë të Shqipërisë u bë bashkëautore dhe opozita. Lulzim Basha apo Brava u zotua se do u mbrojë votën, por në vend të kësaj dhe që të protestonim, u vërsul për karrigen e tij dhe në një proces të manipuluar, pa ndërmarrë asnjë qëndrim, asnjë veprim, për dhunimin masiv të votës.

Ai shpalli veten të rizgjedhur. Ky degradoi në shkallën më ekstreme problemin e votës, në momentin kur ju tha juve për faqen e tij më të zezë dhe duke turpëruar cdo shqiptar, por ne demokratët më shumë, se këtu në këtë sallë në 1958 karrige janë 5004 vota. A ka turp më të madh? Jo. Ndaj ne e filluam me lirinë, me votën. Ne vijmë këtu me një kandidat, që ka çarë me djersën e ballit, është bërë një biznesmen i nderuar pa iu nënshtruar presioneve të mafies dhe qeverisë. I besoj plotësisht atij, sepse i besuat ju, e zgjodhët ju. Asnjë kandidat në primaret e 30 janarit nuk erdhi absolutisht nga komisioni apo Sali Berisha, por erdhën nga ju. Ju siguroj se dyert për primare ishin të hapura plotësisht dhe për Luan Hotin, por ai nuk donte votën, kishte frikë nga vota juaj. Ne jashtë votës suaj nuk e emëronim atë kurrë. Ndaj në vend që të vinte të testohej në primare, zgjodhi të jetë jo kandidati juaj, por kandidat i Lul Bravës. Ndaj dhe u ftoj ju këtu, ftoj të gjithë banorët e kësaj treve, të rrethit të Durrësit, që më 6 mars cdo votë të shkojë për kandidatin e lirisë, Ardi Mukën. Vota për kandidatin e Edi Ramës dhe peshkaqenit më të madh që ka parë gjiri i Durrësit ndonjëherë, Gjush Dakos, është vota më e humbur, është votë drejtë të shkuarës, është votë për varfërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb