* Berisha: Shoqëria civile pothuajse nuk ekziston më në këtë vend
* Berisha: Studentët i kanë shpallur non grata kryeministrin dhe ministren e arsimit
* Berisha: Përveç Ramës dhe Adil Çarçanit nuk është goditur asnjë kryeministër me vezë

*Braçe, Berishës: Ti gënjen per shifrat e abuzimit me tenderat!
*Kokëdhima: Sali je kufomë që ke nusëruar dy herë, nuk do kesh shans tjetër

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar sot nga foltorja e parlamentit blerjen e tre automjeteve të tjera nga qeveria, 3 “Benza” të blinduar nga 700 mijë euro secili. Duke kaluar nga diskutimi i projektligjit për Këshillin Kombëtar të Shoqërisë Civile në buxhetin faktik, Berisha deklaroi se paratë e qytetarëve janë përdorur nga freshistët dhe militantët e PS-së për të studiuar Antonio Gramshin dhe doktrinën e tij. Ai tha se buxheti “shkon për prapanicën e zyrtarëve”. Sipas Berishës janë më mijëra zyra e banja të zyrtarëve që po restaurohen, duke i quajtur “shërbime për menderen”.

Ish-kryeministri tha se në vend pothuajse nuk ekziston shoqëria civile. “Paratë e taksave tuaj i përdornin freshistat dhe militantët e PS për të studiuar Antonion Gramshin dhe doktrinën e tij. Shoqëria civile pothuajse nuk ekziston më në këtë vend. Kanë lënë disa zëra për mjedisin apo për ndonjë gjë tjetër, por shoqëri civile që të ngrejë zërin për burgosjet dhe çështjet e tjera nuk ka. Terrori i shoqërisë civile po shtrihet mbi botën akademike e universitare. Rasti i i fundit që ndodhi me fakultetin e shkencave sociale është dëshmia e terrorit dhe shkelmimit të autonomisë së tyre. Kampuset dhe korpuset universitare për definicion kanë një paprekshmëri që shkon deri në garanci kushtetuese për të mos u futur dhuna. E ka dhe Greqia. Nuk ndodh kurrë një që zyrtar të turret me tabor ushtarësh në derë të një fakulteti. Nuk ndodh që një kryeministër dhe një ministër të zaptojë auditorët e universiteteve. Mund të shkojë për leksion por jo për të rrahur gjoksin se ‘çdo centimetër e kampusit është e imja’. Studentët i kanë shpallur non grata kryeministrin dhe ministren e arsimit. Ky është një vendim historik sepse janë këta të dy protagonistë kryesorë që të blerë këmbë e kokë mbyllën dyert e universiteteve për fëmijët e të varfërve, goditën shkollimin në mënyrë përfundimtare, jo vetëm të të varfërve por edhe shtresave të ulëta. Mund të përballojnë kredinë për një fëmijë kurse tjetrit do ti thonë ‘fillo punën, ik në emigracion se nuk të shkolloj dot’. Studentët e kanë gjuajtur Adil Çarçanin me vezë, kur erdhi atje. Nuk është gjuajtur ndonjë kryeministër me vezë nga studentët, asnjëherë”, tha Berisha.

Ish-kryeministri denoncoi edhe një fakt tjetër. Sipas tij një prej badigardëve të kryeministrit Rama ka pështyrë një prej studentëve. Ky Sipas tij është akti më i ulët i poshtërimit dhe kërkoi që ky njeri t’i dorëzohej Prokurorisë dhe të largohet nga çdo shërbim.

“Ka ndodhur një akt poshtërimi i studentëve, rojet ose banditë të Edi Ramës kanë pështyrë studentët. Ky është akti më i ulët i poshtërimit të dinjitetit njerëzor. Ai që ka pështyrë studentët duhet t’i jepet urgjentisht prokurorisë dhe të mbahen qëndrimet ligjore më të rrepta ndaj tij. Policia badigardët kanë detyrë mbrojtjen e personalitetit por nuk mund të përdorin pështymën. Është akti më i ulët. Të pështysh në surrat një vajzë e cila po proteston jo vetëm për veten por për çdo të ri, po kërkon arsim publik falas, po kërkon atë që i jep kushtetuta, po kërkon një të drejtë kushtetuese që e kanë fëmijët dhe të rinjtë e vendeve të zhvilluara. 18 mijë studentë kanë hyrë sivjet nga 38 mijë që kanë qenë dy vite më parë. I kanë çuar në universitete private. Universitetet publike kanë denoncuar këtë megaryshfet. Kërkoj me urgjencë që të gjendet personi që ka pështyrë studentin dhe të nxirret jashtë gardës, jashtë shërimit civil, jashtë çdo shërbimi. Ata që kanë dhunuar studentët të ndëshkohen”, deklaroi Berisha.

Ai tha se “qeveria është verbuar, ka humbur çdo lloj orientimi” duke shfaqur dokumentin për blerjen e 3 benzave të blinduar.

“Kam këtu tenderin sekret, me afat ruajtjeje 10 vjet. Cili është sekreti, veturat qeveritare, vjedhja është sekret? Me këtë vendim Garda e Republikës porosit për 3 benza. Ju e keni bërë. Se kanë hakers që i nxjerrin ata janë miqtë e mi. Çfarë ndodh këtu, janë 42 vetura. Përveç zhaguarizimit të qeverisë, dalin edhe 3 benza që kushton secili 700 mijë euro. Kur isha unë kryeministër atë benz të blinduar që kushtonte mbi 600 mijë euro nuk e ka përdorur asnjë personalitet shqiptar. Tani na porositen 3 benza të tjerë të blinduar. Ky është një akt i shëmtuar. Të porositet edhe një jam dakord. Megjithëse nuk mbeti asnjë i huaj ma automjet të blinduar se ai që kishim mund të ishte i zënë. Megjithatë them edhe një duhet, por të blesh tre do të thoë se je makut, njeri i verbuar, që të verbon luksi, frika. Si mund të marrësh 3 makina. A ishit ju që më thatë për atë 1 makinë. A e dini ç’po ndodh, 1 mln e 200 mijë euro në vit qiraja totale për këta bena”, tha Berisha.

Sipas tij, Komisioni i KLSH-së ka gjetur 399 tenderë me abuzime në një total prej 720 mln euro. “Për ata që thonë për qytetarin që e ka të vështirë të imagjinojë, këta zotërinj kanë marrë 2.4 mld euro borxh në dy vjet. Nuk kanë përfunduar asnjë kilometër rrugë në 2 vjet nga ato që i kam lënë unë. Paratë i vjedhin. Jeni lëshuar si lukuni. Po vidhet masivisht dhe produkti thuajse zero, përveçse ndonjë shatërvani nuk ka asnjë punë publike. Po të shihje buxhetin, shiheni çfarë bëhet. Shkon për prapanicën e zyrtarëve. Janë më mijëra zyra e banja që po restaurohen. Ai që e di buxhetin e di se është mënyra më e mirë e shndërrimit të buxhetit në para xhepi. Shndërrohen në shërbime për menderen”, tha Berisha në foltoren e Kuvendit, ndërkohë që deputeti socialist, Koço Kokëdhima dëgjonte me shumë vëmendje deklaratën e tij.

BRAÇE-BERISHËS: I REFEROHESH RAPORTIT TË KLSH POR GËNJEN PËR SHIFRAT E ABUZIMIT ME TENDERAT
Deputeti socialist Erjon Braçë i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i thënë se ia njeh meritën për krijimin e Këshillit të Shoqërisë Civile, por tha se nuk mund të pajtohet më mënyrën e financimit. Sipas Braçes me paratë e shtetit financoheshin 5 OJF, nga të cilat 3 i takonin veç një personi. Më tej, Braçe tha se Berisha gënjen për shifrat e abuzimeve me tenderat sipas tij.

“Unë të njoh meritën që ke krijuar këtë institucion. Madje emëruat një grup njerëzish aty në krye, për një pjesë të të cilëve kam edhe respekt. Nuk mund të pranoj që gjithë paratë e shtetit për shoqërinë civile të kalojë në 5 OJF. A të pranoj që tre prej tyre të jenë të vetëm një personi. Është e drejta jote të komentosh raportin e KLSH, por jo të gënjesh. Thatë që abuzimi me tenderat është 700 mln euro, por në raport thuhet 385.80 mln lekë. Kaq bëjnë këto sipas jush z.Berisha? Unë nuk mbroj asnjë qindarke luksi në çështje qeveritare. Nëse çështja që ju keni ngritur për makinat nuk rezulton me kursim për buxhetin e shtetit keni të drejtë, por nëse nuk është kështu ejani t’i diskutojmë. Keni dhëna 92 mln lekë dieta për 8 vite. Po kështu edhe bileta avioni”, tha Braçe.

“Akuzoni për ndërhyrje për punësim mësuesish. Një deputetet nuk e bën këtë. Po ju keni përndjekur mësues e drejtorë në kohën tuaj. Por mësues pa diplome nuk mund të lejohen. Ndërsa ju bëni vetëm akuza për ndërhyrje për punësim”, shtoi ai.

BERISHA: JU JETONI NË KOHËN TIME
Berisha u ndal tek emërimet në arsim dhe tatime, duke deklaruar se një deputet ka emëruar 80 tatimor, jashtë çdo kodi. Por ai i është rikthyer edhe çështjes së CEZ, duke thënë se Edi Rama në kulisa shkelmoi fund e krye interesat publike me marrëveshjet që bëri.

“Ndihem komfortabël, kur shoh që nga i pari deri tek i fundit jetoni në kohën e Sali Berishës. Ky nuk është faji im, mund të jetë suksesi ose dështimit juaj. Ai që ishte para meje dokumente iu përgjigj me shpifje e trillime. Unë fola për tenderë të shpallur sekretë për prapanicat e qeveritarët. Kjo është fyerje dhe turp për një vend. Unë prisja reagim tjetër. Por reagime të tilla.. Ju jetoni në kohën time, vazhdoni! Unë fola për ndrikullën Nushi, që është me fuqishme se ç’ishte klani i saj në kohën e Enver Hoxhës. Fola për emërimet e bëra me 6-7 mijë euro në tatime, arsim e kudo. Njeriu ka një kod etik. Nuk i lejoj vetes të emëroj asnjë, mbi të gjitha për të mos u përfolur. Kjo mund të jetë e pashembullt në historinë e një vendi. Si mund të emërojë një deputetë 80 tatimorë. A ka ndonjë kod? Edi Rama në kulisa dhe duke shkelmuar fund e krye interesat publike firmosi marrëveshjet e CEZ-it, duke i dhuruar mbi 620 mln euro. KLSH ka arrut në një përfundim, nuk kishte asnjë kërcënim interesi publik shqiptar për të firmosur këtë marrëveshje. Janë dokumentet në të cilat CEZ në Vjenë i ofron si zgjidhje palës tonë, marrjen përsipër nga CEZ të çështjes DIA, mbylljen e saj. Ja ku është ministri, ja ku i keni njerëzit, ju duhet të pyesni. Por çfarë doli pas marrëveshjes, DIA i mbeti palës shqiptare, pse? Ja kërkoi Ilir Meta Ramës? Pse mori përsipër Rama DIA-n, e mori që të vidhte para me DIA-n. Ajo kompani u krijua për të vjedhur shtetin”, tha Berisha.

GJIKNURI-BERISHËS: JEP PËRGJIGJE PËR PAZARET QË KE BËRË PËR CEZ
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, i është drejtuar ish-kryeministrit Sali Berisha, lidhur me çështjen e CEZ. Gjiknuri e ka akuzuar Berishën për marrëveshje për të mbuluar humbjet me CEZ.

“Me mënyrën sesi e privatizove i shkaktove një dëm të madh buxhetit të shtetit. Teoria e borxheve që hedh ti, është ndryshe nga sa e nxjerr BDO. Paratë që ishin në qarkullim për shkak të harakirit tënd që u thojë shqiptarëve mos paguani, dije se tani po mblidhen. Sektori energjetik kërkonte financime të menjëhershme, dhe ne bëmë marrëveshje me BB. S’mund ta çonim vendin në kolaps, e të rrëzohej qeveria. Se këtë do kërkojë ti, do thojë qeveria lë vendin pa drita. Ti me Zana Guxholli e Ridvan Boden ia keni çuar ERE-s vendimin për noterizim. Kjo është marrëveshje në kulisa. S’ka asnjë dokument të shkruar. S’ka asnjë negociatë. Ne u votuam për të gjetur zgjidhje, dhe po rregullojmë gjendjen ku ti e lë sektorin energjetik. Ndaj nuk do të pyesim për vendimet që na duhen për të mirën e reformës”, tha Gjiknuri. Ndërsa ish-kryeministri i është përgjigjur se “Po u mbrojte në këtë mënyrë në prokurori, nuk ka mëshirë për ty. Kërko gjykim të shkurtuar”.

KOKËDHIMA: SALI JE I VDEKUR
Deputeti socialist, Koço Kokëdhima i tha deputetit Berisha se nuk ka aspak dëshirë të merret me të, por e quajti kufomë që ka nusëruar dy herë.

“Sa maskarallëqe nxjerr nga goja Saliu nuk janë arsye për t’u marrë me të. Ike? Je i vdekur ta dish, je kufomë. Edhe kur je këtu. Saliu është ajo lloj kufome që ka nusëruar dy herë dhe që nuk do të ketë më asnjë shans tjetër. Nuk kam pikë dëshire që të merrem me të por sigurisht që me pasojat e qeverisjes dhe të punës së tij do të na duhet të merremi për shumë vite. Ikën dhe Saliu, shpif dhe ikën dhe ai thotë se jeni në kohën time. Në fakt koha që ne përdorim këtu është koha e këtij parlamenti, e këtyre deputetëve, e këtij populli dhe është koha që ne duhet ta përdorim për t;’i dhënë zgjidhje situatave shumë të rënda në të cilat ndodhemi. Shqipëria është një vend i varfër dhe ky nuk është lajmi më i keq, por lajmi më i keq është që Shqipëria është një vend pa ekonomi konkurruese, pa ndërmarrje konkurruese, që nuk ka një sistem funksional të grumbullimit të pasurisë. Sepse kështu është ndërtuar ekonomia e këtij vendi. Duhet t’i japim zgjidhje kësaj situate. kemi një vend të mbushur me analfabetë. Duhet t’i japim zgjidhje. Kemi trashëguar një administratat tërësisht të shkatërruar dhe të paaftë. Kemi një sistem kapilar koncesionesh që nuk i shërben vendit”, tha Kokëdhima.

Nga ana tjetër, deputeti i majtë iu kundërpërgjigj ish-kryeministrit Berisha se ka kontribuuar shumë në karrierën e shumë bashkëpunëtorëve të tij. Ai akuzoi Berishën se ‘ka rritur kusarë dhe kriminelë’.

“Një herë më akuzon për drejtorin e Albpetrolin. Njëherë më akuzojnë për një ish-punonjës. Unë kam bërë në jetën time shumë punë dhe kam pasur shumë bashkëpunëtor. Kam pasur dhe bashkëpunëtor dhe deputet. Këto nuk përbëjnë ndonjë arsye që unë të ndihem keq. Jam ndjerë shumë mirë që kam ndihmuar karrierat e mijëra njerëzve. Ndërsa unë kam rritur karriera në jetë, Saliu ka rritur kusarë dhe kriminel. Le të më bëjnë më Saliu kritika dhe akuza. Por jo me punëtorët e mi, as më ish-bashkëpunëtorët e mi. Dhe as me ish-bashkë aksionarët e mi. Saliun unë e kam kritikuar dhe e kam akuzuar me rolin e tij personal dhe veprat e tij personale. Gjithmonë kam kërkuar që ai të përgjigjet me rolin e tij si person. Ai duhet të japin përgjigje për të gjitha akuzat, ndërsa mua nuk duhet të më zërë me gojë.”, tha Kokëdhima.
(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb