TIRANË- Ish­-kryeministri Sali Berisha kritikoi qëndrimet e kryeministrit Edi Rama gjatë takimit për 10-­vjetorin e Tregut të Energjisë në Vjenë, duke thënë se me deklaratat që mbajti ndaj Serbisë po sillet sikur ‘zbuloi Amerikën’.

Berisha ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” se Rama i ka vjedhur shprehjet dhe thotë se ai ka komplekse ndaj homologut të tij Vuçiç.

“Shqipëria dhe Serbia të zhvillojnë marrëdhënie të gjithanshme, kjo është e dobishme dhe e rëndësishme dhe në këtë drejtim kam mbështetur dhe mbështes çdo përpjekje. Por sjelljet sikur në marrëdhëniet me Serbinë është zbuluar Amerika, janë të neveritshme dhe dëshmi e një kompleksi atavik të komunistëve shqiptarë që kanë patur qendër shpirtërore Beogradin”, ­shkruan Berisha.

Më tej ish-kryemnistri thotë se Rama dje në Vjenë, po përsëriste fjalët e mia, duke cituar “Shqipëria, Norvegjia e Ballkanit”.

“Edi Rama tek fliste dje në Vjenë në 10 vjetorin e tregut të energjisë dhe po përsëriste fjalët e mia “Shqipëria, Norvegjia e Ballkanit”. Ish-­kryeministri citon edhe një pjesë të fjalimit që ai ka mbajtur mes të pranishmëve: “Është e logjikshme që burimet energjetike shqiptare që janë të pastra, por ndonjëherë shumë kapriçoze, të jenë komplementare nga burimet e qymyrit të Serbisë, kur është e nevojshme”. Duke u ndalur tek projektet energjetike, Berisha thotë se mes Shqipërisë dhe Kosovës ekziston një projekt konkret që pritet të finalizohet.

“Për të gjithë ata që njohin minimalisht çështjet dhe problemet energjetike në rajon, është e ditur se Kosova ka pellgun qymyr­guror të linjitit më të madh në Ballkan dhe të pestin më të madh në botë dhe në perspektivë mund të bëhet një nga polet më të fuqishme energjetike të rajonit. Pikërisht për këto arsye dhe për faktin se hidroprodhimi në Shqipëri dhe termoprodhimi në Kosovë mund të bëhen komplementare, të bashkërendohen për optimizimin e përdorimit të rezervave respektive energjetike, në vitet 2009 – 2012 u projektua dhe u garantua financimi, u tenderua dhe u shpall fituesi i autostradës energjetike, linjës së transmetimit të tensionit të lartë 420 kv Tiranë – Prishtinë që duhet të kishte përfunduar dhe do përfundoje së shpejti”,­ thotë Berisha. Në fund të komentit të tij, Berisha ngre pikëpytje nëse Rama “E bën këtë i sëmurë nga kompleksi atëror apo komleksi Vuçiç një Zot e di?”.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: