Ish-kryeministri Sali Berisha foli në emisionin “Kjo Javë”, në News24, për fitoren e Joe Biden si President i SHBA.

Berisha tregoi në një lidhje me skype përballë gazetares Nisida Tufa dy takimet me Biden, ku u shpreh se ai i ka thënë fjalët më të veçanta për Shqipërinë dhe shqiptarët, që nuk ja ka thënë kurrë asnjë burrë shteti, raporton “BalkanWeb”.

Mes të tjerash, ish-kryeministri theksoi se Joe Biden do të bëjë gjëra të mëdha edhe për arritjen e një marrëveshjeje të ndershme mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shtoi se edhe marrëveshja e fundit në Shtëpinë e Bardhë ishte një hap mjaft pozitiv nga Donald Trump.

“Do të thotë një shef ekzekutiv i SHBA me njohuri të thella për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, me qëndrime të përcaktuara njëkohësisht miqësore. Unë e kam takuar dy herë si zv.president Joe Biden dhe ruaj kujtime shumë të veçanta. Bisedat kanë qenë të shkurtra, vetëm për Shqipërinë. Fjalët e tij për Shqipërinë kanë qenë më të veçantat që më ka thënë ndonjëherë ndonjë burrë shteti. Kurse Donald Trump, ndonëse në vitet e para të presidencës pa ndonjë motiv të spikatur për rajonin, në fund tregoi një interes shumë të gjallë dhe të veçantë për marrëveshjen Kosovë-Serbi. I bëri kombit shqiptar një shërbim të madh të pamohueshëm, njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe shtroi një sërë çështjesh për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse Biden është me një histori të thellë e të gjatë, por edhe miqësor, për Shqipërinë e shqiptarët, Donald Trump u angazhua së fundi me rezultate konkrete”, u shpreh ish-kryeministri.

A mendoni se do të ndikojë Presidenca Biden në rrugën e integrimit të Shqipërisë?
Mendoj se SHBA, pavarësisht se kush ka qenë president, kanë pasur si dëshirë dhe përpjekje ndihmën për Shqipërinë për integrimin në BE. Nuk mendoj se kjo ndihmë apo dëshirë ka munguar në administratën aktuale.

Po sa i takon Kosovës si do ndikojë Presidenca Biden?
Në raport me Kosovën mendoj se Presidenca Biden do vazhdojë përpjekjet, do bëjë përpjekje të mëdha, për një marrëveshje të ndershme mes Kosovës dhe Serbisë dhe për zgjidhjen e një sërë problemesh të mëdha që ekzistojnë mes këtyre dy vendeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb