NGA JETON SELIMI

Pas fillimit të vështirë të sezonit, për Etrit Berishën vijnë lajme të mira. Portieri i Kombëtares po e shfrytëzon më së miri rastin që po i jepet dhe dalëngadalë po e fiton vendin e titullarit tek Atalanta. Pasi debutoi me ekipin bergamask në disfatën 3-0 në Kaljari të dielën, “gardiani” kuqezi do të jetë titullar edhe kundër Palermos të mërkurën mbrëma. Këtë e konfirmoi vetë trajneri zikaltër, Xhan Piero Gasperini, në konferencën e sotme për media.

“Berisha bëri një ndeshje të mirë dhe në këtë moment meriton të luajë”, – u shpreh tekniku italian. Ndërkohë, drejtori teknik i Atalantës, Xhovani Sartori, në një prononcim për mediat lokale ka deklaruar se afrimi i Berishës nga Lacio në ditën e fundit të afatit të transferimeve ishte një okazion: “Donim të kishim tre portierë të mirë. Shqiptari ishte okazioni i duhur, ndaj e shfrytëzuam”. 27-vjeçari Berisha, edhe pse pësoi tre gola në duelin me Kaljarin, ishte më i miri për ekipin e tij.

“Gardiani” i Kombëtares sonë shpëtoi miqtë nga të paktën 3-4 gola të tjerë të sigurt, duke u vlerësuar me notën më të lartë nga mediat italiane. CANA Lorik Cana mohon zërat për një transferim të mundshëm te Peskara. Mediat italiane të hënën raportuan se ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare shihej si përforcimi i duhur për mbrojtjen e ekipit ku luajnë edhe shqiptarët Memushaj e Manaj. Por vetë 33-vjeçari e ka hedhur kategorikisht poshtë mundësinë e rikthimit në Serinë A, ku më herët ka veshur fanellën e Lacios.

“Nuk kam pasur asnjë kontakt me Peskarën. Këto informacione i kam dëgjuar nga mediat dhe dua të theksoj se asgjë nuk është e vërtetë në lidhje me këta zëra të përhapur”, – deklaroi mbrojtësi për “Albeu”-n. Qysh prej përfundimit të Kampionatit Evropian, Cana nuk është rikthyer në fushë, ndërsa në gusht e ndërpreu zyrtarisht edhe kontratën me francezët e Nantës. Kjo e bën atë lojtar të lirë e që mund të nënshkruajë në çdo kohë me çdo klub, gjithnjë nëse vetë lojtari vendos ta vazhdojë karrierën në futbollin e luajtur.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb