Ish-kryeministri Sali Berisha në një inter vistë për gazetën “Bota Sot” ka bindjen se sovraniteti i Kosovës po “kërcënohet” nga Serbia, ndërsa e konsideron çështjen e saj të tradhtuar gjithmonë, që nga Enver Hoxha deri tek Edi Rama.

Z.Berisha, si ka ecur bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë ndër vite?
Mendoj se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë ecën dhe zhvillohet, por duhet të kishte ecur shumë më shpejt. Ky bashkëpunim është natyral, pra proces i pandalshëm, i parikthyeshëm, por çështja është si të shpejtohet, si të kapërcehen sa më shpejt pengesat në rrugën e këtij bashkëpunimi. Duhet të pranojmë se pengesa kryesore për këtë bashkëpunim kanë qenë dhe janë së pari, trashëgimia 50-vjeçare komuniste, gjatë të cilës jo bashkëpunimi, por ndarja dhe mosbashkëpunim ishin ligj. Së dyti, një përpjekje e padrejtë pas çlirimit të Kosovës e komitetit ndërkombëtar për të ngadalësuar sa më shumë këtë bashkëpunim.

Fakt është se deri sot, edhe pas 16 vitesh të çlirimit të Kosovës, në bashkëpunimin midis dy vendeve në tërësi nuk ekziston asnjë projekt i përbashkët, i financuar nga komuniteti ndërkombëtar, përveçse linjës së ndërlidhjes energjetike, të projektuar dhe financuar nga qeveria gjermane para vitit 2013 dhe që tani që ka përfunduar po e mban peng Serbia duke kërkuar në shkëmbim, cenimin e sovranitetit të Kosovës dhe duke penguar kështu bashkëpunimin rajonal. Së treti, një pengesë e madhe, tejet serioze në bashkëpunimin midis dy vendeve ishte dhe mungesa e infrastrukturës lidhëse ndërmjet dy vendeve. Por, dua të theksoj se marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Kosovë po i dëmtojnë disa qëndrime të bazuara në mentalitete, de-konsiderata të vjetra atërore të Edi Ramës ndaj Kosovës. Për udhëheqjen e vjetër komuniste, të instaluar në Tiranë nga Beogradi, që nga themelimi i PKSH nga serbët Popoviçi dhe Mugosha dhe vendosja nga ana e tyre më vonë e Enver Hoxhës në krye të saj, Kosova gjithnjë ishte një çështje e tradhtuar. Shqiptarët, mjerisht nuk njohin historinë e tyre.

Nënshtrimi i udhëheqjes politike të Tiranës ndaj Beogradit u ka kushtuar tmerrësisht shtrenjtë shqiptarëve në tërësi dhe Kosovës në veçanti. Kur shikon disa qëndrime të Edi Ramës, që njëlloj si etërit e tij, ka shndërruar Beogradin përsëri si dikur në Mekën e të majtës shqiptare, nuk mund të presësh asgjë tjetër prej tij, përveçse përçarje në çdo hap. Duke thënë këto, sqaroj se mbështes plotësisht përpjekjet për bashkëpunimin normal midis Shqipërisë dhe Serbisë, natyrisht jo në dëm të Kosovës. Shqipëria në asnjë rast nuk mund të marrë monopolin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, duke shmangur, anashkaluar Kosovën. Jam i bindur se një qëndrim i tillë u shërben ambicieve dhe qëllimeve serbe, por jo normalizimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

A duhet t’u njihet qytetarëve të Kosovës e drejta për të pasur pasaportë të Republikës së Shqipërisë?
Mendoj se po, por edhe anasjelltas. Për këtë është e domosdoshme që të dy vendet e pavarura, mbi bazën e një marrëveshjeje midis dy qeverive, pas heqjes së vizave të Kosovës me BE-në, të zgjidhin përfundimisht problemin e shtetësisë. Theksoj këtu mbi bazën e një marrëveshje, sepse kjo tani nuk mund të bëhet me vendime të njëanshme, sikundër kjo marrëveshje, për arsye të njohura nuk mund të hyjë në fuqi para liberalizimit të vizave me Kosovën nga Bashkimi Europian. Çdo shqiptar, pavarësisht ku banon, në Shqipëri apo në Kosovë ose në treva të tjera, duhet të ketë të drejtë të marrë shtetësinë që do apo të marrë dyshtetësinë, pra të Shqipërisë dhe Kosovës.

Aktualisht për të gjithë shqiptarët e tjerë me banim jashtë territorit të Kosovës, një vendim i qeverisë së mëparshme iu njeh atyre të drejtën e shtetësisë dhe pasaportës shqiptare. Edi Rama, sapo erdhi në pushtet nuk anuloi, por bllokoi vendimin për shtetësinë. Ai për këtë çështje madhore ka një qëndrim albanofobik. Me sa kuptoj, ai ka frikë shumë nga dominimi elektoral i pakthyeshëm kundër të majtës në Shqipëri. Unë nuk kam asnjë kompleks nga kjo. Por, në rast se i japim përgjigje problemit të shtetësisë, atëherë përkohësisht për disa ekuilibra të brendshme, mund të përdoren praktikat e njohura të proporcionalitetit të zbatuara edhe nga vende të tjera. Shtoj, këtu se fobia e tij me motive elektorale po iu mohon të drejtën e votës emigrantëve dhe shqiptarëve të diasporës nga Shqipëria.

Çfarë dini për rastin e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha?
Unë emrin e biznesmenit Remzi Hoxha e kam dëgjuar për herë të parë nga z. Adem Demaçi, i cili më ka ardhur në zyrë dhe më ka shprehur shqetësimin e tij se ky person është zhdukur në Shqipëri. Menjëherë kam ngarkuar të gjitha autoritetet përkatëse të Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Inteligjent dhe prej tyre më është raportuar se ato nuk kishin asnjë dijeni për personin në fjalë. Nuk kam pasur absolutisht asnjë informacion, siç është folur më vonë se ky person ishte i implikuar në autobombën kundër Gligorovit dhe më pas u tha dhe në atentat ndaj meje.

Pas kalimit në opozitë, qeveria e atëhershme më akuzoi mua për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para se Gjykata Ndërkombëtare të akuzonte Milosheviçin dhe nuk bëri asnjë prononcim për zhdukjen e biznesmenit në fjalë. Nuk i di arsyet pse heshtën! Sigurisht hetuan, por nuk gjetën asnjë lidhje. Më vonë janë bërë arrestime të punonjësve të Shërbimit Informativ dhe personat janë liruar nga gjykatat si të pafajshëm, ndërkohë që siç dihet, prokurorinë e kontrollonte tërësisht PS. Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjarëve për njeriun e tyre të dashur, më duhet të them se përshtypje më ka bërë fakti që problemi i tij ngrihej në fushata elektorale. Këto janë gjithçka di unë për këtë çështje.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb