TIRANE – Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se droga e kapur sot në Brindisi, Itali, është e nipërve të deputetes socialiste, Valentina Leskaj. Duke cituar qytetarin dixhital, që prezantohet si oficer policie në Vlorë, Berisha akuzon drejtorin e kufirit të qarkut të Vlorës si ortak me ta.

“Oficeri dixhital informon: Skafi me 1 ton drogë i kapur nga autoritetet italiane është i nipërve të “madam Lokomotivës”, Leskaj. Me ata është ortak drejtori i kufirit të qarkut të Vlorës”, shkruan Berisha.

Në mesazhin e ardhur në adresë të tij, jepen emra konkretë, ndërkohë që thotë se një prej trafikantëve është edhe vrasës.
“I nderuar doktor, jam një oficer policie i Vlorës! Skafi i nisur mbrëmë nga grykëderdhja e Vjosës në urën e Mifolit me 1 ton drogë në drejtim të Italisë është i nipërve të deputetes Valentina Leskaj nga Selenica, Robi Llanaj dhe Gëzim Zhupaj nga Selenica. Robi Llanaj në Selenicë ka një sipërfaqe me 10 ha hashash të mbjellë vetëm 2 km larg postës së policisë dhe ka gjithsej 40 punëtorë që punojnë dhe jetojnë në çadra në plantacionin me drogë dhe është një vrasës i njohur për komunitetin dhe policinë Gëzim Zhupa është drejtori i policisë së kufirit të Vlorës që garanton transportin me gomone të hashashit për në Itali dhe Greqi..”, shkruan Berisha në statusin e tij.

REAGON DEPUTETJA: NUK KAM ASNJË NIP NË SELENICË
Pas akuzave të Berishës, ka reaguar nënkryetarja e parlamentit Valentina Leksaj, e cila thekson se nuk ka asnjë nip në Selenicë, e as në Vlorë. Sipas Leskajt, deklaratat e Berishës janë shpifje të ulëta që synojnë të dëmtojnë  të vërtetën dhe integritetin e saj personal e qytetar.

SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK: Përmes medias on­line u njoha me marrëzinë e fundit të pseudo qytetarit dixhital të Sali Berishës për përfshirjen e “nipërve të Valentina Leskajt” në ngjarjen e fundit të Vlorës. Në respekt të opinionit publik dhe qytetarëve shqiptarë sqaroj se, për sa flitet e shkruhet është një tjetër shpifje e ulët, në dëm të

informimit, të vërtetës publike, por edhe të integritetit tim personal e qytetar.

E vërteta është se unë nuk kam asnjë nip në Selenicë e as në Vlorë, madje as një lloj fisi as të parë, as të dytë, as të tretë, as të katërt; në fakt, asnjë lidhje me këto lloj sajesash.

Do i bëja thirrje publike zëdhënësit të kësaj shpifjeje të kërkojë ndjesë publike për përfoljen e padenjë të emrit tim, por edhe për keqpërdorimin dhe dezinformimin e opinionit publik.

(m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb