TIRANË – Ish-Kryeministri Berisha i kërkon Kryeprokurorit Llalla të urdhërojë arrestimin e menjëhershëm të zyrtarëve, që mbajtën në qeli për mbi 8 orë, vajzën 5-vjeçare, për shkak të nënës së saj.

“I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të urdhërojë arrestimin e menjëhershëm të porositësve dhe ekzekutorëve të këtij akti të rëndë kriminal. Nuk është monstruoze të mbrosh të drejtat e njeriut; monstruoze është mbajtja e një vajze minorene, vetëm 5 vjeçe dhe me probleme shëndetësore, në komisariatin e Policisë për 8 orë, në kushte skandaloze; monstruoze është mosnxjerrja e përgjegjësve dhe e përgjegjësive. Prandaj te dashur qytetare duhet t’i japim fund këtij shteti policor që ka zëvendësuar shtetin ligjor!”

Ministria e Brendshme sqaroi dje për rastin në fjalë se gruaja i kërkoi vetë Policisë ta merrte fëmijën me vete. “E dyshuar për vjedhjen e energjisë, shtetësja N.N. është shoqëruar në Komisariat. Ajo me dëshirën e saj i ka kërkuar policisë të marrë me vete fëmijën.

Shtetësja N.N., është paraqitur tre herë në këtë Komisariat brenda 3 ditëve të fundit, së pari me iniciativë të saj për të denoncuar fqinjin se e ka ngacmuar seksualisht, ditën e dytë është denoncuar nga një fqinje për fyerje dhe ditën e tretë e dyshuar për vjedhje energjie. Në asnjë prej rasteve nuk është shoqëruar apo izoluar, por ka ndenjur në dhomën e intervistave. Ajo të treja ditët ka marrë fëmijën me vete, me pretendimin se nuk kishte ku ta linte për shkak të moshës së mitur.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb