Prokuroria e Tiranës mori sot në pyetje organizatorin e protestës së 8 janarit, ish-kryeministrin Sali Berisha, mbi ngjarjet e dhunshme në selinë e Partisë Demokratike.

Ish-kryeministri Sali Berisha u mor sot në pyetje për më shumë se dy orë nga prokurorët e kryeqytetit, të cilët po hetojnë dhunën masive, që shpërtheu gjatë protestës së organizuar prej tij fundjavën e kaluar në selinë e Partisë Demokratike.

Zoti Berisha u tregoi gazetarëve detaje nga komunikimet me hetuesit, dhe përsëriti se “revolucioni vazhdon”, se “ndërtesa do të merret”, dhe se “protesta e të shtunës ishte paqësore”, ndonëse dhuna, që shpërtheu në selinë qendrore të Partisë Demokratike u frenua vetëm nga ndërhyrja e forcave të policisë.

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar tha të mërkurën në një intervistë për Zërin e Amerikës se qëndrimi amerikan për zoti Berisha është i qartë, dhe u bëri thirrje autoriteteve të ndjekin penalisht, çdo person që është i përfshirë në dhunë politike.

Ai theksoi se përcaktimi nga SHBA si ‘non grata’ i zotit Berisha ka të bëjë me korrupsionin dhe përsëriti thirrjen drejtuar autoriteteve shqiptare, ta luftojnë korrupsionin kudo që ta identifikojnë dhe të ndjekin penalisht përgjegjësit.

Ish-kryeministri dhe ish kryetari i PD-së, Sali Berisha, komentoi edhe për deklaratat e djeshme në Zërin e Amerikës të zotit Escobar, i cili dënoi dhunën e fundjavës së kaluar në Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe theksoi se dhuna nuk mund të jetë mjet për marrjen nën kontroll të një partie politike.

Zoti Berisha tha se kush mendon se po mbron Bashën duke e goditur atë, e ka gabim.
“E ftoj zotin Escobar të dërgojë pranë organeve përkatëse dokumentet që provojnë akuzat për korrupsion. Po ashtu e ftoj të rishikojë qëndrimin për të mbështetur Lulzim Bashën, sepse kjo është e gabuar” – tha zoti Berisha.

Pas zotit Berisha sot në prokurori u paraqit për hetimet mbi dhunën e të shtunës në PD edhe deputeti Flamur Noka, një tjetër organizator i protestës.
Ndërsa nesër janë thirrur për dëshmi nga prokuroria kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe sekretari i përgjithshëm, Gazmend Bardhi.

Zotërinjtë Bardhi dhe Noka u përfshinë që ditën e parë në listën e personave, ndaj të cilëve nisi procedim penal nga prokuroria.
Partia Demokratike deklaroi sot pas komenteve të zotit Berisha në derë të prokurorisë, se ai ishte një “mashtrues kronik” për ngjarje që u panë botërisht, i cili gënjeu përsëri mbi “dhunën e planifikuar dhe urdhëruar prej tij”.

Partia Demokratike theksoi në komentin e vet se “që prej 9 shtatorit Sali Berisha veç ka gënjyer e mashtruar për hallin e tij të madh, për dosjen e tij “non grata”.
Por sipas PD, “mashtrimet dhe gënjeshtrat e Berishës morën fund ditën, kur ai dështoi të merrte me vete në fatin e tij të zi Partinë Demokratike”. Edhe më herët figurat kryesore të Partisë Demokratike kanë dënuar “gjuhën e urrejtjes me zë e figurë të përdorur nga Sali Berisha”, i cili “nxiti, paralajmëroi dhe planifikoi dhunën kundër PD nga mercenarët e tij”.

Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime mbi ngjarjet e dhunshme në selinë e Partisë Demokratike më 8 janar, të cilat i nisi qysh atë mbrëmje, duke rrethuar ndërtesën për të mbledhur provat dhe ndaluan 34 persona, 5 nga të cilët janë në arrest shtëpie dhe “detyrim paraqitje” për pjesën më të madhe.

Të paktën 23 persona nga të ndaluarit ishin pjesëmarrës në protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, e cila përfundoi me një sulm të dhunshëm ndaj selisë së kësaj partie, ku dyer e dritare u thyen e shkatërruan e po ashtu dhe mjediset e brendshme.

Ndërsa 11 persona të tjerë, ishin përkrahës të zotit Basha që ishin në seli ditën e 8 janarit. Ndaj tyre pati dyshime për shkeljen e rregullave për lëndët plasëse dhe shpërthyese, gjatë përpjekjeve për të sprapsur protestuesit që kërkonin të hynin në godinë.

Protesta e së shtunës kishte si objektiv marrjen nën kontroll të selisë së Partisë demokratike nga ana e zotit Berisha dhe mbështetësve të tij. Dhuna e shpërthyer u frenua vetëm nga ndërhyrja e forcave të policisë.

Pas ngjarjeve të 8 janarit PD vendosi përjashtimin e zotit Berisha nga anëtarësia, ndërsa 9 deputetë të tjerë u përjashtuan apo pezulluan, një masë që u shtri dhe ndaj 19 mbështetësve të ish-kryeministrit./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb