Ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar arsyet se përse nuk ka qenë i pranishëm ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë. Ai ka sqaruar, se mungesa e tij kishte të bënte me vizitën e Erdogan në tempullin e ligjeve.

Berisha ka thënë në një emision televiziv, se e respekton kombin turk, por ka kontradikta të hapura me Presidentin Erodogan, në vitet e fundit të qeverisjes së tij.

“Mungova sot sepse gjykova që nuk duhet të isha i pranishëm në fjalën në Parlament të presidentit të Turqisë, Erdogan. Unë jam njeri që respektoj shumë Turqinë dhe kombin turk, por unë kam pasur kontradikta të hapura me presidentin Erdogan në vitet e fundit të qeverisjes nga unë, ku nuk kam pranuar të ndjek apo të votojnë në OKB rezoluta që binin në kundërshtim, në vlerësimin tim, me qëndrimet që mbanin SHBA dhe vendet e mëdha për çështjen e Palestinës.
Shqipëria është nga ato të pakta vende që ka një ambasadë të Palestinës prej vitesh, por asnjëherë nuk u vendos në diskutim prania e saj në Tiranë. Rezoluta me të cilin u ndava me Erdogan ishte një përpjekje për të përjashtuar rolin e SHBA në zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme. Dy vite më pas, mu kërkua në mënyrë jo diplomatike që të ndryshoja votën, unë nuk e bëra. Atë e premtoi Edi Rama dhe ai ndryshoi qëllimin e Shqipërisë. Më mori në telefon në një moment feste. Në një kohë kur diplomacia turke nuk kishte thënë asnjë fjalë dy vite më radhë. Kisha marrë vesh nga ambasadori palestinez që Erdogan ishte i zemëruar nga kjo. Ai insistoi që unë të ndryshoja qëllimin. Por, ajo që mund të bëja ishte të abstenoja, por nuk do të votoja kurrë për atë rezolutë. Unë bëra të qartë se Shqipëria nuk mund të jetë një vend në sferën e influencës së Turqisë”, është shprehur Berisha në Vizion Plus.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb