Në një konferencë të sotme për media, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar disa detaje lidhur me hetimet e SPAK për zv/kryeministren Belinda Balluku.
Ai ka bërë akuza të forta ndaj saj, duke thënë se hetuesit kanë marrë në dorë telefona që i përkasin sekretares ose drejtorit të përgjithshëm të Ballukut.
Berisha shtoi se ato çfarë mund të përmbajnë këto telefona janë të papërshkrueshme dhe mund të habisin çdo person.
“Po Belinda? Të dini çfarë ka telefoni që i kanë marrë sekretares apo drejtorit të përgjithshëm të Belindës, ju ikën mendja e kokës,” u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Sali Berisha: Për sa i përket SPAK-ut, secili ka të drejtë të interpretojë si të dojë deklaratat e mia. Por unë sqaroj në mënyrë të përsëritur se Sali Berisha vlerëson në shkallë maksimale çdo punonjës të SPAK, të gjykatës, të policisë dhe të çcdo institucioni tjetër që zbaton ligjin, pavarësisht nga bindjet e tij. Ai që zbaton ligjin, ai është shërbëtor dinjitoz i shtetit dhe i qytetarëve. Sali Berisha nuk mundet kurrë të pajtohet me prokurorë apo gjykatës që flenë mbi krimin. Që pasurohen në pazare me krimin dhe këtë besoj që një qytetar, një shtetar, një zyrtar nuk mund të pajtohet kurrë.
Dhe në këtë kontekst, unë jam i vetmi që deklaratat e mia, në aparencë politike, i kam shoqëruar me dokumente zyrtare konkrete. Dokumente zyrtare të publikuara nga media tregojnë se Taulant Balla akuzohet se ka porositur vrasje dhe se gjykatësi dhe prokurori i Elbasanit kanë vendosur të djegin dokumentin ku flitet për Taulantin.
A mund të ndodhë kjo veçse aty ku sundon mafia? Regjistrime autentike, origjinale tregojnë se Taulant Balla ka marrë urdhër nga banda për të liruar dy atentatorët, terroristë që i vendosën Lulzim Kullës tritolin nën shalën e biçikletës. Dhe Taulant Balla ka përdorur Vath Stakën, prokuror dhe anëtar i KLP, dhe të dy vrasësit nuk kanë vuajtur asnjë ditë burg. Taulant Balla është i akuzuar nga ish-shefi i policisë në Krujë se ka liruar nga mjediset e komisariatit të birin e Rrahman Rrajës që kishte fikur cigaren në mishin e një vajze.
Taulant Balla është i akuzuar në dosjen Toyota Yaris se është i implikuar gjer në palcë me veprime në mënyrë që banda të marrë mjetet. Tani u them unë ju, para 4-5 muajsh, ai po bëhej gati të arrestohej dhe hoqën dorë. Me urdhër të Edi Ramës, hoqën dorë. Tani më thoni mua a është kriminel Taulant Balla? Që liron kriminelin. I cili arreston, se i thotë banda kaq vota i ke të sigurta, por do arrestosh rivalin tonë, dhe bën arrestime për të krijuar vota? A nuk janë krime këto? A nuk fle Dumani mbi këto dosje? Më thuaj mua pak. Çfarë do i them unë këtij? Këtij do i them se je Olsi Dado që vendos të bësh ligjin? Jo, nuk i them, nuk e bëj kurrë këtë. Ai që do të zbatojë ligjin, e vlerësoj dhe do e vlerësoj unë. Unë nuk kam asnjë lloj lidhje në mënyrë kategorike me asnjërin prej tyre, por nuk mund t’i them të bardhës të zezë. U jap Taulantin, po kam të tjerë plot.
Po Belinda? Po të dini ju se çfarë ka telefoni që i është marrë sekretares së përgjithshëm apo drejtorit të përgjithshëm të saj, u ikën mendja e kokës. Pra, këta zotërinj ka aty që zbatojnë ligjin dhe janë shërbëtorë të popullit, të vendit të tyre, ka që shkelmojnë ligjin dhe bëjnë pazar me Ymer Lalat, me Taulant Ballat, me Suel Çelat, me Bajrët, me Pojat, këta janë më kriminelë se ata.
(BalkanWeb)