Anëtari i Partisë Demokratike, Roland Bejko, ishte i ftuar këtë të martë në studion e emisionit “FrontLine” të gazetares Marsela Karapanço, ku foli për situatën në PD dhe zgjedhjen e Presidentit të ri.

Bejko tha se fillimisht duhet të ndodhë bashkimi real i Partisë Demokratike e më pas të diskutohej mbi çështjen e Presidentit. Ai tha se me gjasë nuk do të ketë konsensus në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dhe do të shkohet deri në raundin e 4 apo të 5, ku Kushtetuta parashikon që Presidenti të zgjidhet me mbi 71 vota.

Sakaq, Bejko tregoi dhe si qëndron situata në Komisionin e Rithemelimit. Sipas tij, pranë ish-kryeministrit Berisha qëndrojnë persona që i kanë qëndruar besnik dhe kanë ndarë para me të, në kohën që Partia Demokratike ka qenë në pushtet.

“Duhet të gjendet një formulë, që PD të bashkohet, të bëhet opozitë e vërtetë e mbështetur në parime dhe jo dilema individësh. Duke qenë se kemi të bëjmë me një kryeministër autokrat, nuk është se prisja një gjë të madhe, duke pasur parasysh jo vetëm kush është Edi Rama. Opozita është e përçarë. Energjitë i konsumojnë duke sulmuar njëri-tjetrin. Nuk është kjo që do të donin demokratët. Berisha do e vazhdojë foltoret, sepse objektivi i tij është që të mbaj të karikuar militantët e PD. Me Berishën përballë Rama mund të rrijë sa të dojë në pushtet. Ka një grup të Alibeajt dhe një grup tjetër neutralësh. Uroj të jetë një spirale që zgjidh krizën në PD. Unë bëj pjesë të njerëzit që e dua bashkimin e PD. Unë e shoh veten brenda PD te ato demokratë që jam kundër rikthimit të Berishës në PD. Berishës i mungon karta morale, një kauzë. Përsërit vetveten dhe është i pa besueshëm. Ato që kam lexuar në rrjete sociale, është që artikulon çështjen e pronës.

Ai atë e bëri mish mash. Berisha theu parimet që i formuluan në Kuvendin e 11 dhjetorit. Berisha mund të justifikohej nëse ishte vetëm në garë. Por fakti që ka dalë dikush, një personazh i nderuar i PD, atëherë… Ka një praktikë Berishiste për pushtetin. Duket se Berisha do të kapërcente vetveten dhe do të futej në një stad të ri, por deri më tani nuk po e shohim. Ai po artikulon teza ku ka dështuar. Kemi largim të shqiptarëve”, tha Bejko.

Bejko tha më tej se Shqipëria ka nevojë për një President të zgjedhur nga populli, ndërsa tregoi dhe si qëndron situata në Partinë Demokratike, më konkretisht në Komisionin e Rithemelimit.

“Shqipërisë do i duhej një President i zgjidhur nga populli dhe me më shumë kompetenca. Ky raport ka humbur. Në rast se digjet edhe raundi i dytë opozita del jashtë loje. Them që nëse do të ketë vullnet, do e shikoja nëse do të kishte angazhim ndërkombëtarësh. Në 2001, u bë marrëveshje mes Berishës dhe Ramës dhe u zgjodh Moisiu me konsensus. Por kjo solli pasojat e saj. U arrit në kompromis që nuk u zgjodh vetëm Presidenti, por edhe Avokati i Popullit, që i kaluan opozitës. Pra, ka përvoja në të kaluarën që maxhoranca dhe opozita mund t’ia dalin. Nuk besoj se do të zgjidhet zgjedhja e Presidentit me konsensus. Aty janë 200 pretendentë për deputet. Dikush thotë që ti shkoj nga mbrapa, por të marrin një pjesë të tortës. Është bërë një elitë politike ku sa më afër ti qëndrosh Berishës aq më shumë përfiton. Lerë më që kanë ndarë edhe para me të. Sa më shumë para të kesh ndarë me të aq më afër në kupolë je me të. Aty do të vlerësohesh sa besnik je, sa para kanë ndarë. Shikoni Këshillin e ri Kombëtar. Demokratët dhe idealistët do të dalin të humbur”, u shpreh Bejko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: