Kthesat pa fund të tragjedisë financiare greke mund të mos i përshtaten shijes së gjithkujt, por një pronar restoranti në Berlin, që ka emigruar në Gjermani që në vitin 1984, shpreson që me menynë e tij të re të tërheqë sa më shumë klientë.

George Chrissidis, në këto muaj vere në vend që të trishtohet nga kriza në vendin e tij të lindjes, është përpjekur ta shikojë me humor dhe fantazi gjendjen e krijuar në Greqi, shkruan Zeri Amerikes.

Ai po ofron në restorantin e tij ‘Z’ një meny që quhet “Drama Greko-Evropiane”. Pjatat e ofruara, kanë emra të tillë si “Grexit e Schaeuble”, frymëzuar nga Ministri i Financave i Gjermanisë, një gatim me mish qingji, djathë dhe perime.

Pjata “Varufakis”, është me mish viçi, djathë të bardhë dhe piper të kuq djegës për t’ia përshtatur temperamentit të ish-Ministrit grek të Financave.

“Tsipras i Dashur”, ka në recetë një djathë as të butë, as të fortë që reflekton natyrën jo të vendosur të kryeministrit grek.

Dhe duke u nisur nga roli i saj në negociatat për zgjidhjet e krizës, nuk mund të mungonte një pjatë me emrin e kancerales gjermane Merkel. Ajo quhet “Angie e ëmbël”, një ëmbëlsirë me arra dhe akullore me vanilje, shumë e pëlqyer nga klientët.

Dhe me këtë menu, Chrissidis mendon të kënaqë të gjithë klientët gjatë muajit të gushtit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: