Ministri i Jashtëm gjerman pritet të takohet sot në Ankara me homologun e tij turk, pas tensioneve për sulmin e Turqisë në verilindje të Sirisë.

Maas synon të nxisë ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu për një armëpushim të qëndrueshëm në rajon dhe të kërkojë pajtueshmëri me ligjin ndërkombëtar në lidhje me refugjatët.

Maas e përshkroi sulmin si një pushtim që nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe Gjermania ka deklaruar se nuk do të japë asnjë leje të re për pajisje ushtarake që mund të përdoren nga Turqia në Siri.

Megjithatë, ka pasur mosmarrëveshje brenda qeverisë gjermane për situatën në Siri.

Këtë javë, ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, propozoi një zonë sigurie në Siri të mbështetur nga OKB-ja, por Maas nuk e mbështeti propozimin.

Para vizitës, Cavusoglu deklaroi për gazetarët në Baku se “sigurisht që jemi të lumtur të mirëpresim Heiko Maas, do t’i flasim hapur”.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb