NGA MARSELA KARAPANÇO* TIRANË- Shqipëria është ndër të paktat vende të rajonit, qytetarët e së cilës, nuk paguajnë asnjë detyrim monetar për përdorimin e rrugëve. Kësisoj, e gjithë barra i bie shtetit. Por fondi që shteti vë në dispozicion për mirëmbajtjen e rrugëve, është sa 1/3 e shumës që nevojitet. Për këtë arsye, Ministria e Financave ka hartuar një projektligj ku kërkohet që qytetarët të paguajnë për shfrytëzimin e pasurisë publike, siç është rruga. Shifrat e detajuara i përcolli sot në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese Argita Totozani, Drejtore e Integrimit në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.

“Qeveria shqiptare do të ketë një strategji dhe hartën e rrugëve që mund të taksohen, e cila do të përdoret më pas për mirëmbajtjen e tyre. Egnatia Odos do të jete kompania qe do të hartojë ketë strategji, përmes një granti prej rreth 150 mijë eurosh të siguruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Harta e inventarizuar e rrugëve që do të jenë me pagesë do të jetë gati në fund të këtij viti”, tha Totozani.

Në përfundim Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator i fondeve grant të siguruara nga BERZH-i, nga burimet e veta, nën fondin e veçantë të aksionarëve, për Strategjinë e Taksimit Rrugor në Shqipëri”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: