Qeveria miratoi dje marrëveshjen e grantit me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës.

Granti i investimit nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor arrin në shumën 35.4 milionë euro. Marrëveshja e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e zhvilluar në Berat parashikon rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimin e linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Drejtoria e Hekurudhave pritet të hapë në fund të muajit shkurt tenderin me vlerë 100 milionë euro, për rikonstruksionin e linjës hekurudhore me gjatësi 34.2km, shkruan atsh.

Fondi është gati (90.45 milionë euro, plus 6 milionë vlerë e TVSH-së) dhe investimi për këtë projekt është siguruar nga grantet e donatorëve dhe kreditë e huaja.

Financuesit kanë vendosur që linja hekurudhore të lidhë Durrësin me Tiranën dhe në kilometrin e 28 të bëhet shkëmbimi i trenave pranë Rinasit.

Linja hekurudhore përfshin largimin përfundimtar të trenave me naftë dhe zëvendësimin e tyre me trena elektrikë në linjën Durrës-Rinas-Tiranë e anasjelltas.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb