Për Besëlidhjen, finalet “play off” në Super ligën e basketbollit të meshkujve po rezultojnë një shëtitje. Lezhjanët e kanë thelluar në 2-0 serinë kundër Teutës, teksa morën edhe raundin e dytë që u zhvillua dje në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Ashtu sikurse në përballjen e parë, Besëlidhja dominoi totalisht, teksa fitoi me rezultatin e thellë 71-123 (19-23, 16-26, 19- 38, 17-36). Plot 52 pikë diferencë, që tregojnë disnivelin mes ekipeve në këtë seri finalesh.
Në njërën anë kemi lezhjanët e Afrim Bilalit me një organikë të gjerë, thuajse me dy ekipe, ndërsa në krahun tjetër zgjedhjet për trajnerin Nikola Milatoviç janë shumë të limituara dhe Teuta duket se e ka arritur objektivin e saj, si nënkampione për herë të dytë radhazi. Edhe në finalen e djeshme, durrsakët rezistuan vetëm një periodë, ndërsa më pas takimi nuk kishte më histori. Të 12 lojtarët e aktivizuar për Besëlidhjen e shkruan emrin në listën e pikëshënuesve, ndërsa 8 lojtarë shkuan në kuotë dyshifrore pikësh.
Eldi Hysa me 15 pikë, 7 kërcime dhe 5 asistime ishte lojtari me rendimentin më të lartë, mbështetur nga Julian Hamati me 10 pikë e 13 kërcime. Për Teutën nuk mjaftuan amerikanët Bryan Powell me 22 pikë e 8 kërcime dhe Jalon Andrews me 20 pikë e 9 kërcime. Të enjten në “Asllan Rusi” do të jetë radha për finalen e tretë, me Besëlidhjen që është vetëm një fitore larg titullit, me fatin e kampionatit që duket i vendosur.
BILALI – Në përfundim të finales së dytë, trajneri i Besëlidhjes, Afrim Bilali, foli për suksesin e ekipit të tij: “Faktikisht ne prisnim finale të luftuar, pasi për këtë bëmë edhe përforcime. Me sa duket, ekipi kundërshtar kaq e ka pasur objektivin, ndoshta për të mbërritur në finale dhe si duket është i dorëzuar para Besëlidhjes. Kjo është korrja e punës që kemi bërë gjatë të gjithë vitit. Për asnjë sekondë ne nuk mund të tolerojmë asgjë, sepse është mundi dhe djersa që kemi hedhur në të gjithë sezonin. Këto finale kanë rezultuar pak më të lehta nga sa i kishim menduar, megjithatë ne jemi të kënaqur që fitojmë dhe që arrijmë objektivin tonë, që është titulli kampion.
Ishte pak a shumë e njëjta pamje si në ndeshjen e parë, ku Teuta vetëm në periodën e parë bëri rezistencë. Në stërvitjet me ekipin arrita që t’i motivoj, në mënyrë që të mos na vinte në gjumë ndeshja e parë, pasi këto janë ndeshje ‘play off’-i dhe nuk i dihet asnjëherë, sepse puna mbaron me 3 ndeshje, kështu që na duhet edhe një fitore për të dalë kampionë”, tha fillimisht Bilali. Më pas, trajneri u shpreh se të enjten pret kurorëzimin e sezonit me festën: “Jemi përgatitur gjithë vitin, çdo ditë me nga 2 stërvitje, për të dalë kampionë. Lojtarët tanë janë profesionistë dhe arrijnë ta kuptojnë këtë gjë. Tani ka mbetur edhe një ndeshje dhe besoj që të enjten nuk do të ketë histori ndaj Teutës. Duket sikur edhe ata janë të dorëzuar edhe nga mënyra sesi luajtën në fushën e tyre. Mendoj që të enjten do të jemi gati për festën”, deklaroi Bilali për “RTSH Sport”.