Nga ILIR KALEMAJ*

Mungesa e besimit mes njëritjetrit dhe në institucione, ajo që rëndom në politologji njihet si kapitali social, sipas definicionit të njohur të Putnami-t, bazuar në studimin e tij mbi diferencat mes Jugut dhe Veriut të Italisë, bën që të ketë asimetri të theksuara mbi shkaqet e zhvillimit në shtete dhe rajone të caktuara. Mungesa e besimit në institucione në rastin shqiptar ka qenë historikisht e kushtëzuar nga pushtuesit e jashtëm apo mungesa e legjitimitetit të qeveritarëve vendorë, infrastruktura e fragmentuar, terreni i ashpër, mbizotërimi i së drejtës zakonore si formë parapolitike në mungesë të një shteti modern, mungesa e industrializimit dhe institucioneve që lindën si rezultat i këtij procesi në Perëndim etj.

Mungesa e besimit në institucione është kthyer veçanërisht shqetësuese në dekadat e tranzicionit, ku antagonizmi i skajshëm politik, militantizmi i institucioneve, mungesa e efektshmërisë së tyre si rezultat i trajnimeve joadekuate të stafit, korrupsionit endemik apo një kulture politike të vakët, ka prodhuar një qasje armiqësore në raportet e individit me burokracinë. Shteti është perceptuar si i dobët, por njëkohësisht arbitrar, si i paefektshëm, por në të njëjtën kohë korruptiv, që ofron shumë kërbaç por aspak kulaç, përkundër modeleve perëndimore të shtetit përkujdesës apo shtetit që respekton maksimalisht liritë individuale, si ajo e pronës etj. Çorganizimi shoqëror, rritja e alienimit social, mungesa e fijeve kapilare që përbëjnë stofin që mban bashkë atë që rëndom referohet si shoqëri e organizuar dhe rrudhja e aktivizimit qytetar, janë disa nga fenomenet postmoderne që shoqërojnë botën e globalizuar nga njëri skaj në tjetrin. Mungesa e besimit në institucione dhe mes vedi sjell si rezultat dhe kosto shumë më të larta në transaksionet e përditshme, duke thelluar hendekun mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, sikundër vë re me të drejtë Alan Greenspan, ish-guvernatori amerikan, në librin e tij të përkthyer edhe në shqip, “Epoka e Trazirave”.

Mungesa e besimit në institucione është reflektuar edhe te mungesa e besimit në shërbimet që ofron sektori privat. Ky i fundit shpesh bazohet në fitimin e çastit për ta maksimizuar atë edhe me mjete të pandershme, në vend që të përqendrohet te rritja e reputacionit që, për investitorë të shquar si Warren Buffet, është alfa dhe omega e një marrëdhënieje kontraktuale dhe çelësi i suksesit në sipërmarrje. Fjala bie, kur frekuenton një restorant për herë të parë, pa dhënë rekomandim nga dikush, në vend që të të ofrohet cilësia maksimale që të kthehesh sërish, punon parimi “Futja sa më tepër, se njëherë të vjen zogu në dorë”. E njëjta gjë kur shkon te xheneriku apo motoristi i makinës, ku duhet futur mik dhe të vesh me rekomandim, përpos t’i rrish edhe në kokë ustait, se të vete çmimi sa “frëngu pulën” në rastin më të mirë, se në të keqin të heqin dhe ndonjë pjesë, apo ta bëjnë “shatra-patra”, që të kthehesh sërish në krye të javës apo muajit. Po ajo frikë dhe madje më e madhe është kur shkon për një diagnostikim dhe të nxjerrin një tjetër, shkon “shëndoshë” dhe del “për spital”, ku makutëria për të fituar sa më shumë dhe sa më shpejt merr në qafë edhe jetë njerëzish.

Këtë mungesë besimi e hasim rëndom edhe në produktet që konsumojmë, duke filluar nga elementët e ngjyrosjes në bukë apo verë, deri te përzierjet që u bëhen vajit të ullirit, mjaltit, qumështit, dhe deri te karburantet apo kontrabanda dhe falsifikimi i markave të veshjeve etj. Po të mos jetë i kujdesshëm konsumatori i “varfër”, gjasat janë që ta “hajë” në çdo moment të ditës, ndaj duhet të jetë i vëmendshëm dhe me veshët katër. Të gjitha këto e rrisin barrën e kohës së shpenzuar nga gjithsecili prej nesh, na detyron të noterizojmë a legalizojmë mijëra dokumente, të cilat mund të verifikoheshin shumë më lehtë nga institucione efikase që punësojnë si personel joanalfabetë funksionalë dhe na kthehen në kosto për shëndetin, kur mendon për sigurinë (e munguar) ushqimore, shëndetësore etj. Politika të orientuara drejt, të cilat do të lehtësonin kostot e transaksionit duke bërë të mundur njëkohësisht garancinë e mbrojtjes së jetës dhe mirëqenies së qytetarit, do të ishin sa të mirëpritura, aq edhe të dëshiruara, për t’i dhënë fund amullisë tranzicionale dhe për të ecur më shpejt drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe drejt statusit të një vendi normal.

(o.d/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: