Ambasadori Luigi Soreca, në një komunikim për mediat nga Erseka është shprehur se  integrimi i Shqipërisë në BE dhe reforma në drejtësi, kanë qenë edhe objektivi kryesor.

Ai ka theksuar se Reforma në drejtësi ka pasur progres, dhe se sot falë progresit,  flitet për konsolidimin e institucioneve të drejtësisë.

Pjesë nga intervista:

Pyetje:-Dy objektivat kryesore kanë qenë integrimi i Shqipërisë në BE dhe reforma në drejtësi. Asnjë përparim në integrimin e Shqipërisë, por asnjë provë të prekshme në drejtësi, si ju bëjnë të ndiheni?

Soreca: Kur arrita në Shqipëri dhe kur fillova punën time ndoshta e mbani mend që ishte e nevojshme që Shqipëria të përmbushte disa kritere, kërkesa që kishin të bënin me sundimin e ligjit, me luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër korrupsionit. Shqipëria bëri përparimet e duhura në këtë fushë dhe për këtë arsye në 24 Mars të 2020 këshilli europian mori vendimin e duhur për Shqipërinë, pra që ishte vendimi për ketë çështje dhe për të gjithë procesin e çeljes së negociatave dhe natyrisht që Shqipëria të bëhej shtet anëtar. Vitin e shkuar në Qershor ishte sërish Këshilli Europian që vendosi që Shqipëria kishte bërë të gjitha hapat e duhur dhe të gjitha këto që nuk kishin ndodhur në vitin 2018. Ishte pikërisht vizita e përfaqësuesit të lartë të BE dhe gjatë asaj vizite ai theksoi faktin  ishte shumë e rëndësishme çelja e negociatave me Shqipërinë, i gjithë rajoni është shum i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë dhe kjo për arsye të kërcënimit që na vjen nga gjithçka që ka ndodhur në Ukrainë. Unë jam besimplotë që po largohem nga Shqipëria në prag të çeljes së negociatave mundësisht në Qershor. Reforma në drejtësi ka patur progres në një mënyrë të atillë sa tashmë ne flasim për konsolidimin e institucioneve të drejtësisë. Unë e njoh gjyqësorin, kjo dhe për shkak të punës sime të mëparshme dhe këto gjëra kërkojnë kohë. Gjërat po ecin kemi institucione të drejtësisë, puna tashmë po bëhet procesi i vetingut do vazhdojë dhe vetëm 2 ditë më parë kemi patur emërimin e gjyqtarit tjetër në gjykatën kushtetuese. Gjërat po ecin, nuk janë si më parë.

Pyetje:-A ka BE ndonjë plan ndihmash konkrete për Ballkanin Perëndimor  dhe kryesisht Shqipërinë? Duke qenë se pasojat e luftës po shkaktojnë një krizë serioze?

Soreca: Jam plotësisht i vetëdijshëm për shqetësimin e Shqiptarëve për rritjen e cmimeve të shportës  dhe karburantit është shumë e rëndësishme të mbrohen familjet dhe bizneset e vogla por siç e thatë edhe ju vjen për shkak të luftës dhe jo sanksioneve që janë vendosur, BE do vazhdojë të qëndrojë krah Shqipërisë për ta ndihmuar atë ashtu siç ka bërë edhe gjatë dy krizave që ka kaluar Shqipëria gjatë 4 viteve të fundit siç ishte tërmeti apo pandemia. Ju ndoshta e dini që 250 mil euro i ka dhënë BE Shqipërisë për rimëkëmbjen ekonomike të vendit për pandeminë. Në rast se lufta do të vazhdojë gjithashtu BE do të vijojë me asistencën e tij.

Pyetje:-Ju po largoheni nga Shqipëria në kushte kur PD është në krizë të thellë! Si e komentoni?

Soreca: Vazhdoj ti qëndroj mendimit për te mos komentuar zhvillimet e brendshme brenda partive në Shqipëri, vazhdojmë me parimin e mosndërhyrjes. Jam i sigurt që pasardhësi im do të bashkëpunojë me forcat politike në Shqipëri , do të mbështesim integrimin.

Ky takim u zhvillua në shenjë vlerësimi për punët e bëra nga EU, duke marrë parasysh se Soreca do të largohet drejt Brukselit me një detyrë të re.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb