Besimtarët Katolik të qarkut të Beratit, në vigjilje të festës së madhë të Pashkëve, i janë drejtuar Kishës Katolike “Giuseppe Razzini” në qytetin e Beratit, për të kremtuar meshën e pashkëve.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se në qarkun e Beratit ndodhen rreth 300 familje katolike që jetojnë në qytetet Berat e Kuçovë, por për shkak të masave anti-covid, numri i pjesëmarrësve në Kishën Katolike ka qënë i reduktuar. Mesha e shenjtë e Pashkëve,më e rëndësishmja në kalendarin e krishterë për vetë simbolikën e ringjalljes,është mbajtur nga Prifti Giuseppe Tossi, i cili ka drejtuar lutjen e traditës sipas liturgjisë, me lutje ndaj Zotit dhe duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Mesha e shenjtë u ndoq nga dhjetëra besimtarë katolikë,të cilët ishin mbledhur brenda ambienteve të Kishës Katolike “Giuseppe Razzini” në Berat, duke u lutur në një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë për paqe dhe jetë më të mirë. Në përfundim të Meshës së Shenjtë, besimtarët katolikë beratas uruan njëri-tjetrin për më shumë paqe dhe dashuri në familjet e tyre.

Mesnata e sotme sjell për besimtarët katolikë lajmin e gëzuar se “Krishti u ringjall”, e bashkë me të edhe shpresa për botën. Kjo festë, që simbolizon ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit të tij,  përcjell në vetvete shpresën se e mira triumfon dhe se besimi tek zoti është ai që na duhet.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb