TIRANE-Ish-deputeti i PD, i rikthyer ne politike, Besnik Mustafaj, në një koment të publikuar në gazetën ‘Panorama’, shprehet se kryeministri Edi Rama është një hakmarrës i sëmurë.

“Ata që e njohin nga afër Edi Ramën, e tregojnë si njeri verbërisht hakmarrës. Në qoftë se ai nuk do të kishte pushtetin që ka, ky do të mbetej një tipar i karakterit të tij, sigurisht një tipar primitiv, por me ndikimin vetëm mbi njerëzit që e rrethojnë. Privatisht le ta durojë kush të dëshirojë. Ndryshon krejt puna kur ai është Kryeministër, de facto drejtues i shtetit,” shkruan Mustafaj.

Ai i referohet shpërndarjes së fondeve të qeveritë për njësitë vendore, ku Shkodra ka marrë vetëm 0.8 përqind.

“Cili shqiptar, i ri a i vjetër, demokrat a socialist, do e merrte me mend se Divjaka merr jo për frymë, por në shifër absolute 5 herë më shumë fonde se Shkodra? Vetëm sepse atje është deputet socialisti i thekur, Erion Braçe. Apo Librazhdi? (nuk është për të qeshur). Librazhdi merr nga qeveria, në sajë të besimit që i ka dhënë Taulant Ballës, 3 herë më shumë fonde se Shkodra”, shkruan Mustafaj, duke theksuar se Shkodra është Bashkia e dytë më e madhe në vend.

“Po sjell një rast tjetër që tregon se fryma hakmarrëse e Edi Ramës është frymë e gjithë qeverisë së tij. Këto ditë që po zhvillohet fushata zgjedhore në Dibër, ministri Damian Gjiknuri u shfaq me zë e figurë në të gjithë mediat duke shpallur se ‘kryeministri Rama dhe qeveria nuk do të japin fonde për një demokrat në krye të Bashkisë’. Ky sigurisht është shantazh i pastër”.

Mustafaj sugjeron që opozita t’u drejtohet Komisionit Europian, Parlamentit Europian, FMN-së dhe Kongresit të Autoriteteve Vendore në Strasburg.

“Vetëm nënshtrimi nuk duhet pranuar. Pushteti arbitrar i Edi Ramës si shprehje e hakmarrjes së tij të sëmurë, do të shënonte vdekjen e lirisë”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: