Fatbardh Kadilli, kandidat për kryetar i Partisë Demokratike, i ftuar në “Real Story”, në “News 24”, tha se gara e tij nuk është me Lulzim Bashën, por me kryeministrin Edi Rama, të cilin e quan si “të keqen e vendit”.

Kadilli theksoi se ai është i vërtetë, një person që nuk është “përlyer” në politikë, e për këto arsye sipas tij, është në avantazh ndaj Ramës.

“Unë se quaj fat të fitoj ndaj Lulzim Bashës. Garën e kam për të mundur Edi Ramën, të cilën unë e shikoj si e keqa e vendit. Unë shoh që prej kohësh ka shteruar. Nuk mendoja që edhe brenda shterimit do të humbte Basha.

Unë e fitoj betejën me të, sepse kam vërtetësinë. S’jam bërë asnjëherë pis në jetën politike, sepse kam hyrë nga një aksion i rëndësishëm. Kam hyrë si anti-korrupsion në politikë. Kam qenë gjithmonë demokrat dhe i hapur me njerëzit, kjo më bën në avantazh me Edi Ramën. Kam një model politik modern. Për të bashkuar shqiptarë dhe për t’i bërë të ndihen mirë.

Kadilli nënvizoi ndër të tjera se nuk do të bënte një bashkëpunim me qeverinë aktuale, të paktën, jo duke iu përgjigjur një ftese të hapur.

“Do evitoja çdo bashkëpunim me letra të hapura. Bashkëpunimi do të ishte aty. Për të drejtuar sot një forcë politike s’do të thotë të jesh atje. Vendimet politike janë të rëndësishme. Unë kam kreativitet politik, krijoj çdo moment argument politik. S’kam kërkuar protagonizëm, me zotin Basha kam bashkëpunuar afër. Jam i vërtetë në atë që propozoj.

Nuk do të jetë kauza për largimin e Ramës e do të lihet në mes. Të luftosh korrupsionin e të korruptohesh është turp, shkatërrim i shtresës. Prandaj e mund Edi Ramën, sepse jam i vërtetë. Berisha i thotë shokëve të tavolinës, nuk bën, po s’kam ç’të ve tjetër. Sot isha unë që mora guximin, e nesër do të jenë të tjerë. Partia do të jetojë gjatë, ndërsa njerëzit do të ikin”, tha Kadilli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb