TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha ka shprehur qëndrimin e tij kundër ndryshimeve në kodin penal për dënime më të ashpra për ata që thyejnë karantinën, me përjashtim të rastit kur një person i infektuar me koronavirus me vetëdije thyen rregullat dhe rrezikon jetën e qytetarëve të tjerë. Në një komunikim me gazetarët pasditen e sotme, Basha tha se virusi dhe pasojat e tij luftohen kurse njerëzit ndihmohen.

“Për ne një pjesë e mirë e propozimeve nuk kanë qenë të nevojshme. Qeveria ka përforcuar me dënime administrative relativisht të rënda parandalimin e shkeljeve të rregullave së karantinës. Në gjykimin tonë e gjitha kjo ka qenë e mjaftueshme. Me përjashtim të rastit kur një person i infektuar me vetëdije shkel rregullat e karantinimit të detyrueshëm dhe me vetëdije rrezikon qytetarë të tjerë. Ne nuk e mbështesim pjesën tjetër të përqasjes. Në qoftë se një qytetar ka dalë për 90 minutëshin dhe është në minutën e 95-të apo ka dalë për të marrë bukë dhe nuk ka marrë dot lejen tek e-albania për raste të tilla masat administrative që janë shpallur janë më se të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për masa më të rënda. Beteja nuk është me njerëzit, beteja është me virusin. Virusi luftohet, pasojat që kanë sjellë pandemia në ekonomi dhe tek njerëzit në nevojë luftohen, njerëzit ndihmohen”, deklaroi Basha.

Sa i përket mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Basha nuk ka preferuar të japë detaje për diskutimet.
“Nuk kam asnjë koment për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Por mund të pyesni për qëndrimet e mia që i kam publike, institucionale”, tha ai.

Në lidhje me paketat financiare të qeverisë, Basha tha se janë të pamjaftueshme, ndonëse theksoi se njëra nuk është zbardhur ende.
“Në volumin financiar janë të pamjaftueshme. Janë 2/3 e paketës së parë të Kosovës. Në qoftë se e marrim të mirëqenë paketën e dytë që nuk e di që ka ndonjë akt që e bën të mirëqenë, prapë trajtojnë më pak se 10% të popullatës që ndodhet në vështirësi për shkak të pandemisë.

Vendimet e japin ndihmën me pikatore dhe me vonesë. Sipas të dhënave tona, nuk bëhen as 10 mijë që kanë marrë ndihma financiare nga paketa e parë. Sot 5 javë pasi ka filluar regjimi i karantinimit jemi jashtëzakonisht vonë dhe pasojat, dhimbja po ndihet në gjithë familjet. Paketat janë të pamjaftueshme. E para akoma nuk është e zbatuar, e dyta akoma nuk është zbardhur. Kjo është të ngopësh njerëzit me lugë bosh. Ndonëse deri sot kam adaptuar një përqasje.
Situata është e paprecedentë në krahasim me çdo vend të rajonit. Shpall masa sporadike që nuk zbatohen. Ka ardhur koha t’i jepet fund kësaj përqasjeje”, deklaroi kreu i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb