Analisti Mentor Kikia, i ftuar në studion e News24, ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet gara elektorale për zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar atë si një spektakël në rrjetet sociale dhe larg një debati serioz politik.
Sipas Kikisë, Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë zhvendosur fushatën nga çështjet programore te batutat, videot dhe këngët rep, me synimin për të tërhequr të rinjtë apatikë ndaj politikës.
“Kjo nuk është një fushatë serioze, është një karagjozllëk politik. Po ndjekin modelin e rrjeteve sociale ku dominon humori dhe përplasjet personale. Këta tani po numërojnë ‘like’-t dhe shikimet e videove, por mbetet për t’u parë nëse do të përkthehen në vota,” – tha Kikia.
Ai gjithashtu hodhi dyshime mbi një koordinim mes Ramës dhe Bashës, duke sugjeruar se shkëmbimet e tyre ironike mund të jenë të mirëorganizuar, për interesa të ndërsjella: “Rama kërkon të tallë Bashën si rival politik, ndërsa Bashës i intereson të jetë në qendër të vëmendjes, pavarësisht mënyrës.”
Në përfundim, Kikia theksoi se historikisht në Shqipëri votohet lideri dhe jo programi elektoral, ndaj mbetet e pasigurt nëse kjo qasje e bazuar te argëtimi dhe ironia do të ndikojë realisht në rezultatin e zgjedhjeve.