Edhe pse qarku i Gjirokastrës këtë herë do të dërgojë në Kuvendin e Shqipërisë 4 deputetë, oreksi i Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është i madh. Secila nga partitë kërkon që në këtë qark të nxjerrë përfaqësuesit e vet. PS me drejtues Bledi Çuçin kërkon të marrë 3 deputetë dhe mandati i katërt të ndahet mes PD e LSI. Por të këtij mendimi nuk janë Tritan Shehu i PD dhe Vangjel Tavo i LSI, të cilët shprehen të bindur se nga ky qark nuk do të dalin të papërfaqësuar.

Tre drejtuesit politikë të PS, PD, LSI, flasin për pikat e forta të partive të tyre. Sipas Tritan Shehut, pikë e fortë e demokratëve është programi i saj që do të konkludojë me futjen e Shqipërisë në BE. Blendi Çuçi sheh si pikë të fortë, atë çfarë socialistët kanë bërë gjatë këtyre 8 viteve, jo vetëm në qarkun e Gjirokastrës, por në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa Vangjel Tavo i Lëvizjes Socialiste për Integrim, sheh si pikë të fortë, kontaktin personal me qytetarët e këtij qarku.

Por si përgjigjen Çuçi, Shehu dhe Tavo kur pyeten për pikat e dobëta të kundërshtarëve politikë?

Çfarë është bërë në qarkun e Gjirokastrës përgjatë 8 viteve të qeverisjes socialiste? A janë realizuar të gjitha projektet e marra përsipër? Blendi Çuçi rrëfen atë çfarë është realizuar konkretisht dhe çfarë do të realizohet në 4 vitet e ardhshme, nëse socialistët fitojnë. Ndërsa Tritan Shehu dhe Vangjel Tavo tregojnë dështimet, sipas tyre të rilindjes në këto 8 vite, dhe prezantojnë planin e tyre për këtë qark.

Tre kandidatët për deputetë shprehin konsideratën për liderët e tyre politikë, Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin.

Cili është mendimi që Çuçi, Tavo dhe Shehu kanë për njëri-tjetrin, teksa përballen në qarkun e Gjirokastrës?

Qyteti i gurtë, do të vendosë në 25 prill se cilët do të jenë përfaqësuesit e tij në parlamentin e ardhshëm. 25 prilli është një ditë kur sipas kushtetutës qytetarët duhet të shkojnë të votojnë, për të vlerësuar nëse për qarkun e tyre është punuar ose jo siç duhet?

Vota është vullneti i një populli për të zgjedhur përfaqësuesit e tij, të cilët do të duhet të çojnë përpara zhvillimin, mirëqenien, do të luftojnë varfërinë, papunësinë, shpopullimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb