Finalizimi me sukses i procesit të Brexit për Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian pritet që të kalojë nga Irlanda e Veriut.

Më ekzaktësisht nga një protokoll i ri që qeveria e drejtuar nga Boris Johnson pritet të miratojë së fundmi në lidhje me çështjen e kufijve dhe tregut të lirë, në raport me Belfastin.

Sipas mediave britanike, kryeministri Boris Johnson dhe Sekretarja e Jashtme Liz Truss janë të gatshëm që të tregojnë ‘të njëjtin vendosmëri’ që kanë përdorur për t’u përballur me Vladimir Putin në Ukrainë, kur bëhet fjalë për mosmarrëveshjen e Britanisë me BE-në mbi Irlandën e Veriut.

Ata të dy kanë paralajmëruar këtë javë Brukselin se Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të anashkalojë pjesët kryesore të një marrëveshjeje pas Brexit dhe pritet që së shpejti qeveria të shpallë ligje të reja për të lënë mënjanë elementet e Protokollit të Irlandës së Veriut.

Ndërkohë theksohet se kësaj mosmarrëveshje afatgjatë midis Bllokut dhe Mbretërisë i është dhënë një urgjencë e shtuar që nga rezultati i zgjedhjeve historike të javës së kaluar në Irlandën e Veriut, të cilat panë Sinn Fein të zëvendësojë DUP-në si partia më e madhe në Stormont.

DUP kanë këmbëngulur se ata nuk do të rihyjnë në një administratë për ndarjen e pushtetit në Irlandën e Veriut derisa të ketë veprim mbi Protokollin, i cili specifikon veprimtarinë post-Brexit.

Tensionet ndërkohë vijojnë të shtohen, pasi edhe partia unioniste konfirmoi sot se nuk do të emëronte një kryetar për seancën e parë të Asamblesë së Irlandës së Veriut, si pjesë e protestës së tyre kundër marrëveshjeve tregtare pas Brexit dhe kjo do ta lërë Kuvendin në Belfast të paaftë për të funksionuar.

Në krahun tjetër, BE-ja ka lëshuar kërcënime të fshehta për një luftë të ashpër tregtare me Britaninë, nëse kryeministri do të vazhdojë me veprime të njëanshme mbi Protokollin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb