Ciro Immobile nuk ndalet më, gola dhe rekorde ndeshje pas ndeshje. “Tripleta” përballë Verona e vendos sulmuesin e Lazios të vetëm në krye të listës së golashënuesve më të mirë në Serie A, 34 gola, plus 3 nga Ronaldo. Më shumë se sa beteja me CR7, Immobile është vënë në ndjekje të Robert Lewandowskit në garën për “Këpucën e Artë” në Europë. Ciro tashmë ndodhet në kuotën e 34 golave po aq sa edhe sulmuesi polak por ka në dispozicion edhe dy ndeshje të tjera. Në një intervistë për “Sky Sport”, Ciro është ndalur te ky objektiv:

“Penalltia në fund? Edhe Luis Alberto është në garë për rekorde por në fund godita unë. Mungon shumë pak për “Këpucën e Artë” dhe për titullin e golashënuesit më të mirë në Serie A. Jam shumë i kënaqur, kam miq të jashtëzakonshëm, ashtu si stafi dhe tifozët. Këtë vit gjithçka po shkon në mënyrën e duhur”, u shpreh Immobile duke u ndalur më pas tek një tjetër rekord, ai i Higuain me 36 gola në një sezon: Më duhen edhe 3 gola, është pak e komplikuar. Është më e lehtë për objektivat e tjerë. Tani duhet të mbyllim mirë këtë sezon, shpresojmë të arrijmë në vendin e dytë ose të tretë”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb