Kroaci-Spanjë është pa diskutim një tjetër sfidë e zjarrtë që rezervon “Euro2020” në këtë fazë, një sfidë luksi mes dy ekipeve që i pëlqen të kenë topin në kontroll, dy ekipe shumë teknike dhe që e njohin mirë njëra-tjetrën. Në 7 përballje ndërmjet tyre, Spanja ka fituar 4, Kroacia 2 dhe vetëm një sfidë është ndarë në barazim. Dy ekipet nuk shkëlqyen në fazën e grupeve, u zgjuan vetëm në sfidën e fundit, mbi të gjitha Spanja me një fitore me “manita”. Iberikët vijnë në këtë përballje si favoritë teksa një fitore e tyre kuotohet me koeficientin 1.57. Për herë të parë në këtë evropian, “furitë e kuqe” largohet nga Spanja pasi kjo sfidë do të zhvillohet në Kopenhagen. Në konferencë për shtyp, trajneri Luis Enrique vlerëson kundërshtarin dhe është i qartë se ku vendoset ky takim: “Të marrim kontrollin e mesfushës përballë Kroacisë është thelbësore. Dy ekipet e njohin mirë njeri tjetrin dhe kjo e bën këtë sfidë akoma me interesante. Për ne ka rëndësi vetëm një detaj, të fitojmë ndeshjen, por për ta bërë këtë duhet të kemi kontrollin e lojës dhe të neutralizojmë Modric dhe Kovacic që janë shumë teknik me topin në këmbë”, u shpreh Luis Enrique.

Skysports Ivan Perisic Goal 5424429
Skysports Ivan Perisic Goal 5424429

Për fat të keq, COVID-19 i hoqi këtij takimi pak cilësi, pasi Kroacia pa Ivan Perisic nuk është e njëjtë, në këtë “Euro2020” ka qenë lideri i këtij ekipi: “Do të jetë shumë e vështirë të zëvendësosh Perisic por për fat të mirë kemi disa alternativa cilësorë”, u shpreh Dalic duke shtuar: “I respektojmë të gjithë rivalët, jam i bindur që edhe Spanja e di se ne jemi një skuadër me cilësi, nuk besoj kanë preferuar të luanin kundër nesh. Jemi plotësisht të motivuar përpara këtij takimi, objektivi jonë është të shkojmë në çerekfinale”, u shpreh trajneri i Kroacisë në konferencë për shtyp.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb