NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Beteja me kajakë në mbrojtje të lumenjve të Ballkanit sot do të zhvillohet në Valbonë. 150 kajakistë të cilët kanë hapur “Turin e lumenjve të Ballkanit” në datën 16 prill, sot zyrtarisht do të lundrojnë në lumin Valbonë në mbrojtje të këtij parku, i cili kërcënohet nga ndërtimi i 14 hidrocentraleve. Më tej, beteja e tyre, në datat 14-20 maj do të përqendrohet në lumin Vjosë, e cila është edhe çështja kryesore e këtij turi, pasi lumi Vjosa është i fundit lumë që rrjedh i egër në Europë. Udhëheqësi i këtij turi me kajakë, ish-sportisti olimpik, slloveni Rok Rozman, i cili ditën e djeshme sapo ka mbërritur në alpet shqiptare, nëpërmjet një fotoje që ka postuar në “FB”, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama për të shpëtuar Vjosën, lumin e egër të Europës.

TURI ME KAJAKË

Rreth 150 kajakistë kanë hapur “Turin e lumenjve të Ballkanit” më 16 prill, në lumin Sava në Slloveni. Udhëhequr nga ish-sportisti olimpik, slloveni Rok Rozman, kajakistë nga e gjithë Evropa, përgjatë 35 ditëve të ardhshme do të lundrojnë në lumenjtë më mahnitës dhe njëkohësisht më të kërcënuar të Ballkanit. Ky është organizimi i parë i këtyre përmasave në Evropë. Me këtë turne, ata janë duke mbajtur një qëndrim të qartë kundër “cunamit” aktual të ndërtimit të digave: rreth 2.700 hidrocentrale janë parashikuar të ndërtohen që nga Sllovenia deri në Shqipëri. Në Shqipëri, turi do të zhvillohet në 12 ditë, duke nisur nga dita e sotme, në alpet shqiptare në mbrojtje të lumit Valbonë, ndërsa ditët e tjera kajakistët do të vozisin në lumenjtë Osum dhe Vjosë.

Turneu do të përfundojë më 20 maj, në Tiranë, me dorëzimin e kërkesës për mbrojtjen e Vjosës, Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Vjosa është lumi i fundit, i “egër” i Evropës, në të cilin, gjithashtu, janë planifikuar disa hidrocentrale. “Ne duam të parandalojmë ndërtimin e këtyre digave dhe në vend të tyre jemi duke bërë përpjekjet tona për mbrojtjen e Vjosës në të gjithë gjatësinë e saj, si një Park Kombëtar. Ky do të përbënte të parin Park Kombëtar të një lumi natyror në të gjithë Evropën”, – thotë Thereza Schiller, koordinatore e fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, pranë Fondacionit për Trashëgiminë Natyrore EURONATUR.

Shumica e projekteve të ndërtimit të HECeve në këta lumenj ende nuk janë realizuar, por presioni është në rritje. Parlamenti Evropian i ka rekomanduar qeverisë shqiptare të rishikojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë dhe degët e saj në Progres-Raportin e BE-së vitin e kaluar. Po ashtu, edhe në rezolutën për Shqipërinë të miratuar në 14 prill, iu bë thirrje qeverisë të kontrollojë zhvillimin e hidrocentraleve në zonat e ndjeshme mjedisore, si në lumin Vjosa, ashtu edhe në zonat e mbrojtura, për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese. Megjithatë, në kundërshtim me këtë kërkesë, qeveria shqiptare ka ftuar investitorët për të ndërtuar një hidrocentral të madh në Vjosë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: