TIRANË

Të gjithë ata gjyqtarë të Gjykatës Kushtetutese, të cilët për një arsye ose tjetrën nuk do të betohen para Presidentit të Republikës, sikundër sanksionohet në Kushtetute dhe në ligj, do të konsiderohen të emëruar nëse e kryejnë betimin e tyre në formë të shkruar.

I ashtuquajturi mekanizëm zhbllokues u votua në Komisionin e Ligjeve. Por shumica hoqi dorë nga fuqia prapavepruese, gjë që e detyron Arta Vorpsin të preferuarën e socialistëve të presë që pozicionin e saj ta saktësojë vetë Gjykata Kushtetutese.

Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, që i jep fuqi Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të ndërhyjë në rastet kur për gjykatës apo prokurorë të caktuar ka ankesa të besueshme. Vendimet ndëshkimore më pas i japin sipas rastit KLGJ apo KLP.

Kritik, jo ndaj nismës në vetvete, por për mënyrën sesi ajo është trajtuar politikisht, u shpreh Fatmir Xhafaj. Edhe pse nuk e tha me emër, dukej se ai i referohej diskursit politik të kryeministrit Rama, kur në fillim të nëntorit shpalli luftën kundër KÇK-se në drejtësi.

Projektligji, sanksionon shtesë rroge në masën 60% të pagës bruto për vështirësi pune për të gjithë magjistratët e SPAK. Të dy nismat pritet të kalojnë për votim në seancën plenare të javës së ardhshme. Pas të cilës për të marrë fuqi do të duhet të dekretohen nga Presidenti i Republikës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb