BETLEHEM – Të krishterët nisën sot festimet e Kritshlindjeve në Betlehem, me ardhjen në procesion të patriarkut latin përpara ceremonisë së përvitshme të meshës në mesnatë, në sfondin e akteve të dhunës midis palestinezëve dhe izraelitëve dhe kërcënimit në rritje të grupit të Shtetit Islamik (ISIS).

Ndërsa dita duhet të niste me festime që do të kulmonin në mbrëmje në Bazilikën e Lindjes, vendi ku lindi Krishti, referuar traditës biblike, tre palestinezë u vranë në Cisjordaninë e pushtuar pas përpjekjeve për të vrarë disa izraelitë, në sulme të veçanta.

”Në tre muaj, vala e dhunës, mjaft e pranishme në Izrael dhe në Territoret Palestineze, ka shënuar 128 palestinezë, 19 izraelitë, një amerikan si dhe një eritreas të vrarë”, sipas një bilanci të dhënë nga media.

Kjo situatë me tensione të larta i ka dhënë një goditje të rëndë turizmit në Tokën e Shenjtë në përgjithësi, dhe veçanërisht në Betlehem, ku pelegrinët e huaj ishin të paktë në numër për të pritur procesionin e patriarkut latin, që niset nga Jeruzalemi dhe do të përshkon murin ndarës të ndërtuar nga Izraeli.

Në mesin e personave të pranishëm në Sheshin e Grazhdit, epiqendra turistike në Betlehem e zbukuruar si zakonisht në këtë ditë festive, murgeshë Donatella, një besimtare italiane, pohoi se ishte e rëndësishme prania e saj në këtë vend, për të reaguar dhe dërguar një mesazh paqeje për Krishtlindje.

Në mesin e një turme të shpërndarë, dhjetëra fëmijë palestinezë parakaluan duke kënduar në kor këngë festive.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: