SHKODER – “Territori shqiptar është keqtrajtuar në mënyrë mizore nga betonizimi, ndaj qeveria ka marrë vendimin për ndalimin e kësaj masakre. Së fundmi, masakra me ndërtimet pa leje dhe betonizimi ka prekur dhe zonën turistike të Thethit”. Kështu u shpreh dje zv.ministri i Zhvillimit Urban, Gjon Radovani në Shkodër, gjatë prezantimit të projektit për planin e përgjithshëm vendor, i cili ka si synim projektimin, mbikëqyrjen dhe planifikimin e territorit.

Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga bashkitë e Shkodrës, Malësisë së Madhe, Pukës, Vaut të Dejës, Kurbinit, Mirditës dhe Lezhës si dhe urbanistë, arkitektë, inxhinierë, grupe interesi dhe subjekte të tjera. Gjatë fjalës së tij, Radovani ka deklaruar se ndërtimet e paligjshme në Theth përbëjnë shqetësim edhe për ambasadën gjermane, e cila i ka dërguar një shkresë zyrtare ministrisë që ai drejton.

“Lejet e ndërtimit duhet të jepen mbi bazën e disa kritereve. E pranoj që nga fillimet e viteve ’90 e këtej është bërë një katrahurë me betonizimin e vendit, sidomos në zonat bregdetare. Kjo është një fatkeqësi kombëtare dhe këto plane synojnë ndaljen e kësaj katrahure”, – u shpreh ai.
(mi.ra/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb