TIRANË- Pas publikimit të fotove dhe denoncimit nga Albanian Platform for Policy Advocacy se brenda parkut të Liqenit Artificial planifikohet të ngrihet një qendër multifunksionale e detyrimisht të priten disa pemë, ka ardhur një reagim nga Partia Demokratike. Këshilltari i djathtë në Bashkinë e Tiranës, Fabian Topollaj shkruan në facebook se PD-ja kishte paralajmëruar më parë kafshimin dhe betonizimin e mushkërisë së kryeqytetit. Ai thotë se qytetaria do ta ndali barbarinë e Valiaj.

DEKLARATA E PLOTË
Betonizimi i parkut të Tiranës, qytetaria do të ndali barbarinë e Veliajt. Rrethimi i ngritur brenda Parkut të Tiranës vërteton paralajmërimin e këshilltarëve bashkiakë të PD muaj më parë. Veliaj ka një plan për kafshimin dhe betonizimin e mushkërisë së mbetur të Kryeqytetit, për zhdukjen përfundimtare të kurorës së vetme të gjelbër në qytet.

Modeli Rama i betonizimit dhe shfrytëzimit të të gjithë aseteve e resurseve të qytetit në funksion të karrierës dhe ambicieve politike të Kryetarit të Bashkisë, duket të jetë modeli i zgjedhur prej Veliajt për qeverisjen e Tiranës këto 4 vite.

Të gjithë pushtetarët hajdutë janë të urryer nga popujt që ata qeverisin, ama ata qeveritarë që për qëllime hajdutërie shkatërrojnë qytete, janë të destinuar të jenë përjetësisht të urryer në kohëra, sepse vepra e tyre e hajdutërisë nuk rëndon vetëm jetën e një populli për një kohë, por të gjithë qytetarëve që do të jetojnë në qytetin e shkatërruar.

Nëqoftëse ne qytetarët, ne populli që sipas Kushtetutës i kemi të gjitha pushtetet nuk ngrihemi sot për ta ndalur këtë masakër, për të prishur këtë gardh dhe për të mbrojtur me trup pemët në foto, jo vetëm lejojmë dhënien e lejeve të tjera të ndërtimit të paralajmëruara në këtë zonë, por përfundimisht legjitimojmë hajdutin Veliaj të bëjë çfarë të dojë me Tiranën dhe jetët tona.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb